Lidhja e Odave Ekonomike e Maqedonisë propozon të formohen fonde për miratimin e kredive me qëllim të caktuar me shkallë më të ulëta interesi për kompanitë me orientim eksportues.
Kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Gabriella Kulebanova në konferencën e sotme për shtyp tha se sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë në Maqedoni vetëm 3.500 kompani eksportojnë. Kjo është pesë për qind e numrit të përgjithshëm të shoqatave aktive tregtare në shtet apo 71.419 të regjistruar zyrtar në vitin 2017. Pjesa më e madhe e kompanive të cilat eksportojnë apo 2.835 janë mikro dhe kompani të vogla, ndërsa vetëm 110 prej eksportuesve janë kompani të mëdha të cilat i kanë mbi 250 të punësuar. Por, edhe pse janë numër i vogël, kompanitë e mëdha eksportuese e krijojnë edhe pjesën më të madhe, gjegjësisht 80 për qind të eksportit të përgjithshëm të shtetit.
“Kjo tregon qartë se pjesa më e madhe e kompanive të Maqedonisë, para së gjithash ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk kanë mundësi për investim në inovacione dhe teknologji dhe janë të kufizuar në aspektin e kuadrit, atë financiar dhe teknik për të realizuar eksport. Në drejtim të stimulimit të inovacionit dhe konkurrencës teknologjike ekzistojnë më shumë masa si lirime të tatimit për modernizim dhe teknologji të reja, përdorimi i disa fondeve të caktuara për furnizimin e pajisjes së re si edhe stimulimi i partneriteteve me investitorë të huaj të cilët në masë të madhe mund të bartin njohuri dhe futjen e teknologjive të reja tek kompanitë vendore”, deklaroi Kulebanova. Shtoi se është e nevojshme në mënyrë më agresive të stimulohet vendosja dhe zbatimi i teknologjive të reja dhe të shpërblehet angazhimi i inovatorëve vendorë.
Ajo theksoi se Maqedonia në dekadën e kaluar ka ndryshim të konsiderueshëm në strukturën eksportuese dhe rritjen e eksportit, por është larg nivelit të nevojshëm që të mund të flitet për ekonomi konkurrente dhe ekonomi të zhvilluar.
Eksportin nga Maqedonia e ndërmarrin kompanitë e huaja të cilat, siç tha, hapën fabrika në zonat e lira ekonomike të cilat më së shumti eksportojnë në pjesën e industrisë automobilistike, gjegjësisht katalizatorë dhe filtra për pastrim, përçues për vetura, autobusë, sedilje për automobila… Eksportuesi më i madh nga Maqedonia i bën 32 për qind të eksportit të përgjithshëm të shtetit.
Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror për Statistikë, për periudhën janar – nëntor 2018 eksporti i përgjithshëm është mbi pesë miliardë euro dhe shënon rritje prej 16,7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Partneri më i madh tregtar me të cilin Maqedonia shënon suficit në këmbim është Gjermania. Partnerë tregtarë të rëndësishëm për Maqedoninë janë edhe Bullgaria, Serbia, Greqia, Italia, Rumania, Spanja, Turqia dhe Britania e Madhe.