Shkup, 29 janar – Pasiguria politike po e dëmton sektorin privat. I madh është numri i kompanive që janë të interesuara t’i zhvendosin bizneset e tyre në fqinjësi, posaçërisht në Bullgari dhe Serbi, ndërsa nuk ndalet as edhe largimi i të rinjve nga vendi, paralajmëroi sot Lidhja e Odave Ekonomike (LOE), transmeton koha.mk
Sipas LOE, në kushte të ekonomisë së brishtë, liderët politik duhet të mendojnë çfarë mund të bëjnë bashkërisht për prosperim kombëtar dhe për të mirën e qytetarëve.
LOE në konferencë për media, përmendi shtatë prioritete të cilat, siç tha kryetarja Daniela Arsovska, Qeveria dhe Ministritë duhet t’i respektojnë nëse duan që vitit 2019 të jetë vit ekonomik.
Sigurim politik dhe ligjor, rritje e vazhdueshme e ekonomisë, ndryshimi i ligjeve në konsultim me biznesin, vullnet i qartë për progres dhe pa korrupsion, reagim urgjent i institucioneve pas çfarëdo ankese të bashkësisë së biznesit. minimizim dhe polarizim në shoqëri dhe përforcim i luftës kundër ekonomisë gri, janë prioritetet e LOE të cilat i sqaroi Arsovska.
Secili prej shtatë prioriteteve në vete përmban disa kërkesa nga anëtaret të cilat tani për tani gjithsej janë 20.000 dhe vijnë prej rajoneve të ndryshme të Maqedonisë. (koha.mk)