Heqja dorë nga e vërteta e deritashme, e cila nuk është bazuar në fakte, pra, nga diçka që ka qenë e sajuar si dhe disa të tjera, assesi nuk mund të jetë humbje dhe tragjedi nacionale, siç i trajton një pjesë e publikut kritik rekomandimet e Komisionit të Përbashkët bullgaro-maqedonas…
Nga Daut DAUTI
Hoxhallarët shpesh thonë se haku i babës e zë fëmijën! Nuk po hyj në këtë fushë, se s’mund t’i dal zot kësaj çështje, nuk jam teolog. Por, edhe pa këtë parim, rastis në jetë që vërtet dikush bën një vepër(faj), e ndëshkimin e merr dikush tjetër! Sepse, jo mëkatet e etërve, por dhe gjyshërve e stërgjyshërve ndonjëherë duhet larë dikush nga gjeneratat që vijnë pas…
Publiku në Maqedoni po tronditet, e në Bullgari po ekzaltohet me konkluzionet e para të Komisionit të Përbashkët (…). Atje triumfalizëm, këtu pikëllim nacional. Sepse, do të duheshka të pranohet se Car Samuili, ai cari që qëndron në cep të Sheshit të Shkupit si njeri i akullit nga poli i veriut(njëri nga përjashtimet stilistike të statujave të Shkupit 2014), nuk na qenka maqedonas. Dhe prej kësaj nxirret konkluzioni defetist. Dhe m’u kujtua ajo që mësonim në librat e historisë, dhe një shpjegim që kishin dhënë atëherë se përse historiografia bullgare e konsideron “car bullgar”, e historia maqedonase si “car maqedonas”. Shpjegimi ishte se atë e ka kurorëzuar kisha bullgare. Sepse është dashur diku të kurorëzohet dhe kështu e paska marrë epitetin. Mund të kishte logjikë ky shpjegim, por dy të vërtetat, ajo maqedonase dhe ajo bullgare shkonin paralelisht. Në dritën e rishikimeve, tash është vendosur që disa ngjarje ose disa figura të shënohen bashkërisht. Mirëpo, kur jemi te Car Samuili ndoshta shprehet gjithë paradoksi i përplasjeve midis dy historiografive. Sepse, në të vërtetë, Samuilis’ka qenë as maqedonas, as bullgar, po ermen! Përplasja mund të ishte rreth “carevinës” së tij, çfarë populli ka jetuar në të, por kjo nuk është tema e kontestimeve!
Heqja dorë nga e vërteta e deritashme, e cila nuk është bazuar në fakte, pra, nga diçka që ka qenë e sajuar si dhe disa të tjera, assesi nuk mund të jetë humbje dhe tragjedi nacionale, siç i trajton një pjesë e publikut kritik rekomandimet e Komisionit të Përbashkët bullgaro-maqedonas. Car Samuilin e ka bërë maqedonas historiografia me interpretimet e veta joshkencore. Po kështu ka një serë çështjes që ngjanë dekadave të fundit, kur të inkurajuar nga politika e VMRO-DPMNE-së, origjinën dhe karakterin sllav të gjuhës maqedonase, deshën t’i japin bazë antike! Madje një nga teoritë e shpikura së fundmi, ndoshta mbetur “në tentativë” është se nuk ka pasur shpërngulje të sllavëve nga pas Karpateve përtej Danubit për Ballkan, por, e kundërta! Me fjalë tjera, popujt si rusët, ukrainasit, bjellorusët etj., origjinën e kanë nga Ballkani!
Këta janë vetëm dy shembuj se si krijohen të vërtetat të pabazuara në shkencë dhe pastaj heqja dorë prej tyre, do të përjetohet si tragjedi kombëtare. Disa historianë maqedonas në katër sy mund t’ua thonë se shumë nga këto të vërteta, prej të cilave sot e kanë vështirë të heqin dorë, janë bazuar në lexim të shtrembëruar të dokumenteve arkivore. Sidomos është problem periudha e shekullit 19-të dhe gjysma e parë e shekullit 20-të, ku lëvizja kombëtare maqedonase dhe lëvizja kombëtare bullgare, kanë qenë të gërshetuara në atë shkallë sa shpesh nuk kanë pasur dallim mes vete. Kjo nuk do të thotë se bullgarët mund të kenë të drejtë në pretendimet e tyre për të dëshmuar se janë një popull në dy shtete, sepse identitetet siç do gjë tjetër, lindin në ndonjë gazë të proceseve historike dhe pastaj zhvillohen si të mëvetësishme.
Kjo që po ndodh tash, është që disa mëkate të të tjerëve, po u bien ca të tjerëve t’i lajnë! Si me i pasë zënë haku të lajnë mëkate të bëra nga ndokush para tyre…E vërteta është se ka plot këso mëkatesh që ka bërë dikush dikur, e që u bien në krye si mallkim atyre që vijnë pas.
Kur jemi te mëkati, duhet shtuar sidomos tendencën për të cilat në kohë kur shkruaja për një gazetë maqedonisht, kisha hyrë në disa polemika me disa autorë maqedonas, të cilët jo vetëm se predikonin të vërtetat absolute për popullin e tyre, por me gjithë pafytyrësinë e tyre, mundoheshin të vërtetat e tyre t’ua imponojnë edhe shqiptarëve, për gjërat që historia dhe shkencat tjera i kanë tejkaluar. Sepse, ata u impononin shqiptarëve një origjinë tjetër nga ç’dihet. Absurdi qëndron në këtë që ndodh tash në relacionet bullgaro-maqedonase. Po t’i kishin pastruar asaj kohe “zbrazëtitë” e historisë së tyre, dhe po të mos mundoheshin shqiptarëve t’ua shkruajnë historinë shqiptare, nuk do të kishin me Bullgarinë kaq çështje problematike. Këta autorë,mbase të inkurajuar edhe nga politika, duhej të dëshmonin atë që donte politika, që shqiptarët nuk janë popull autokton dhe se duhet të pajtohen me nivelin e një pakice, e cila është aq sa është, por dhe se është e ardhur! Pastaj, “vendin” e shqiptarëve në antikë deshën ta zënë ata. E shaluan Lekën e Madh për këtë qëllim. Për gaz të botës.
Dhe kur jemi këtu, dhe kur këto ditë vdiq Kapllan Resuli, na sjell ndërmend pikërisht atë tendencë që qarqe të caktuara nacionaliste shoviniste, pikërisht këtë shkrimtar, dhe një tjetër të cilit më kur ia përmend emrin më kapëkrupa, i sillnin këtu shpesh për “të dëshmuar” se të vërtetat shqiptare nuk janë shkencore. Se shqiptarët as janë ilirë e as autoktonë në këto troje, dhe se i kanë sjellë turqit këtu për t’i sunduar popujt tjerë! Ky shkrimtari “i famshëm”, që këtu e prezantonin si albanologun më të madh, shkrimtarin më të madh shqiptar, kishte shkruar se shqiptarët këtu kanë qenë pikërisht okupatorë dhe si të tillë sillen edhe sot! Dhe i jepnin pastaj edhe karakter tjetër: ja, një autor shqiptar vetë mohontezat shqiptare!
Çështja mund të diskutohet, janë apo nuk janë të ardhur shqiptarët në Maqedoni, dhe kur, por dhe si kanë lëvizur popujt nëpër histori, por kështu ose ashtu, nuk mund të fshihej e vërteta se sllavët janë dyndur para 14-15 shekujve në Ballkan, ndërkaq, ilirët, paraardhësit e shqiptarëve kanë qenë nga më herët. Në vend se të merreshin me çështjet problematike zor të qëndrueshme të historisë maqedonase, ata “korrigjonin” historinë shqiptare. Prandaj, kjo që po ndodh në relacionet bullgaro-maqedonase, është sikur t’i ketë zënë buka e shqiptarëve,ndonëse shumë nga fajtorët e këtij diskursi nuk janë në mesin e të gjallëve dhe ndoshta pa të drejtë u bie mbi supe disa autorëve më të rinj që rezonojnë më kthjellët.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)