Gostivar, 15 mars – Këshilli i Komunës së Gostivarit ka miratuar unanimisht në seancën e 12-të vendimin për hapjen e një Llogarie të posaçme bankare në të cilin mund të donohen mjete për ndihmë të familjarëve të viktimave dhe të lënduarve në tragjedinë në afërsi të fshatit Llaskërcë, transmeton gazeta KOHA. “Xhirollogaria do të jetë e hapur për një kohë të pacaktuar, ndërsa për ditën e mbylljes së saj vendim do të marrë Këshilli i Komunës së Gostivarit.
Varësisht nga mjetet e grumbulluara, Këshilli do të vendosë edhe për mënyrën dhe lartësinë e mjeteve të cilat do tu ndahen të pësuarve. Gostivarasit dhe qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, gjithmonë kanë ditur të tregohen humanë dhe solidarë. Ta dëshmojmë edhe kësaj here humanizmin tonë dhe të ndajmë dhembjen dhe humbjen bashkë me të pësuarit në tragjedinë më të madhe që goditi Gostivarin!”, thuhet në vendimin e Këshillit të Komunës së Gostivarit. (koha.mk)