Lubljanë, 20 qershor – Zëvendësministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vlladimir Llazovski, sot dhe nesër merr pjesë në Sesionin e 17-të të Bordit të ministrave të Kulturës të vendeve anëtare të Fondacionit Ndërkombëtar „Forumi i Kulturave Sllave“ në Lubjanë, Republika e Sllovenisë.
Mbledhja solemne e bordit të organizatës, qëllimi i së cilës është bashkëpunimi dhe afrimi i kulturës së popujve sllavë, sivjet mbahet nën organizimin e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, Marjan Sharec. Në mbledhjen e cila kaloi në shenjën e shënimit të 15-vjetorit të themelimit të këtij fondacioni ndërkombëtar, anëtarët e Këshillit Drejtues, mes tjerash, diskutuan edhe për të ardhmen e Forumit të Kulturave Sllave, mbi aktivitetet e realizuara me mbështetjen e Forumit, ndërsa ishte nënshkruar edhe Memorandumi për të përforcuar dialogun ndërkulturor dhe pjesëmarrjen e të gjitha vendeve sllave.
Fondacioni Ndërkombëtar „Forumi i Kulturave Sllave“ ishte themeluar në vitin 2004 me iniciativën e Republikës së Sllovenisë, me qëllim të afrimit dhe stimulimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet shteteve sllave, si dhe afirmimit të përbashkët të kulturës së tyre në botë. Maqedonia si njëri nga vendet-themeluese të Forumit të Kulturave Sllave, me kalimin e viteve vazhdimisht dhe në mënyrë aktive merr pjesë në zbatimin e projekteve të shumta, në mesin e të cilave „100 romanet sllave“, shënimi tradicional i Ditës së Iluministëve Mbarësllavë Cirili dhe Metodi në selinë e UNESKO-s, realizimi i seminareve të shumta në fushën e veprimtarisë së muzeut..
Në kuadër të Forumit, zëvendësministri Llazovski realizoi takime të shumta bilaterale, mes tjerash, edhe me ministrin e Kulturës së Republikës së Sllovenisë, Zoran Pozniq, dhe me drejtoreshën e Forumit të Kulturave Sllave, Andrea Rihter.
Në takim me ministrin slloven, Pozniq, edhe një herë ishte vërtetuar mbështetja e fuqishme që Republika e Sllovenisë ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve euroatlantike, ndërsa ishte iniciuar edhe hapja e qendrave informative kulturore në Lubjanë dhe në Shkup. Të dyja palët i shprehën angazhimet konkrete për të filluar që ta realizojnë këtë ide.
Në takim me drejtoreshën e Forumit të Kulturave Sllave, Andrea Rihter, u bë fjalë mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe të ardhshëm dhe realizimin e projekteve në kuadër të Forumit, sikurse mbi aktivitetet në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të themelimit të këtij fondacioni ndërkombëtar.