Shkup, 26 mars – Tatjana Llazarovska, e punësuar si ushtare profesionale në ARM, përhapë gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale pasi bëri thirrje që t’i jepet Çmimi Nobel sulmuesit nga Zelanda e Re, ku mbetën të vrarë 50 persona, transmeton gazeta KOHA.
Nga Shtabi i i Përgjithshëm i ARM-së për Libertas kanë konfirmuar informatën se Llazarova është e punësuar në ARM, dënojnë veprimin e saj dhe paralajmërojnë sanksione për atë.
“Në lidhje me pyetjen tuaj nëse në radhët e Armatës ekziston person me emrin dhe mbiemrin e theksuar, që në media të caktuara ka lidhje me statusin e publikuar në profil personal në rrjetin social “Fejsbuk”, ju informojmë se pas hetimit të realizuar është konstatuar që në përbërje të njësive përbërëse të Shtabit të përgjithshëm ekziston ushtar profesional me të dhënat e theksuara personale. Pas marrjes së informatës nga ana jonë, në pajtim me rregullativat dhe kompetencat ligjore është filluar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë dhe për ndërmarrjen e masave përkatëse disiplinore. Shtabi i përgjithshëm fuqishëm dënon çdo formë të të shprehurit të çfarëdo lloji të intolerancës, sjelle diskriminuese ose mbështetje të të njëjtave nga kushdo. Nga Shtabi i përgjithshëm është urdhëruar deri te komandat dhe njësitë varëse çdoherë të merren masa përkatëse për parandalim dhe sanksionim të ashpër në kuadër të kompetencave ligjore të çfarëdo lloji të sjelljes së pakëndshme dhe prishje të reputacionit të Armatës nga ana e pjesëtarëve të saj”, thonë nga ARM. (koha.mk)