Kur ai ishte 14 vjeç ëndërronte që të bëhej usta për të riparuar një makinë. Pas 16 vjetësh gjërat kanë ndryshuar. Sot ai dëshiron që të rindërtojë makinat antikuar pse jo edhe ndonjë Ferrari po të kishte mundësinë. Llazar Bogdani u shpall fitues i vendit të dytë për restaurimin e makinave antikuar në një konkurs të zhvilluar në Shkup të Maqedonisë.
“Me restaurimin e makinës volzvagen të vitit 1975 mora pjesë në ekspozitën e makinave të vjetra të restauruara. Udhëtova drejt Shkupit me këtë makinë, e cila tani është në gjendje perfekte dhe u ktheva me çmim. Ishte një kënaqësi që më shtyn të vazhdoj në rrugën e restaurimit të makinave të vjetra”. Më tej ai tregon: Çelsat i kam kapur për herë të parë në dorë kur isha 14 vjeç. Tani pas 16 vitesh mund të kem riparuar me qindra ose mijëra. Një ditë zbulova se kisha një dëshirë të veçantë. Të ndërtoja vetë një makinë. Dhe nisa të punoj. Ia dola mbanë një ditë.
“Pjesët e makinave i gjej në varrezat e perëndimit dhe më shumë në internet. Asnjëherë nuk e kam llogaritur çmimin se sa kushtojnë. Është kënaqësia ajo që e shtyn ti montoj. Makinat e vjetra janë ndryshe nga të rejat”. Sot teknologjia ka evoluar shumë. Por megjithatë ato mbeten mjaft tërheqëse, ca nga nostalgjia, ca nga forma që kanë, ca për trend etj. Edhe ndërtimi i tyre është krejt i veçantë. Sipas tij ato janë edhe ekonomike në blerje.
“Një makinë e mbi 50 viteve më parë kushton sa gjysma e të rejave sot, por ama është diçka e veçantë”. Shqiptarët nuk ja dinë vlerën ende makinave të vjetra. “Kur i kam marrë, kanë qenë në gjendje të mjeruar. I kam restauruar nga e para dhe i kam sjellë në gjendjen më të mirë. Kam harxhuar shumë, por e kam pasion dhe do të vazhdoj ta bëj”. Mjeshtri nga Elbasani shprehet se nuk do të heqë dorë nga pasioni i tij. Ëndrra për momentin mbetet një makinë e vjetër “Ferrari”.
“Ëndërroj të restauroj një “Ferrari”. Nuk e di në do të ndodhë ndonjëherë në Shqipëri por dëshirë e kam. Ndoshta bëhet realitet”. Llapari është nga ata mjeshtërit që i mungojnë sot vendit. Sepse është “akt heroik” të ndërtosh një makinë nga e para në Shqipëri. Megjithatë ai ia del dhe njerëz të tillë kanë nevojë për mbështetje, motivim.