Skuadra e Llapit ka vazhduar përforcimet në afatin kalimtar të verës. Klubi i Tahir Batatinës ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje me qendër mbrojtësin e Renovës, Xhelil Abdullai, shkruan GazetaBlic, përcjellë gazeta Koha. Abdullai luan në pozitën e qendër mbrojtësit dhe ka përvojë në disa klube njohura shqiptare dhe evropiane.
Ja njoftimi i klubit të Llapit:
“ZYRTARE: Xhelil Abdullai transferohet tek Llapi
Podujevë, 18 qershor 2019 – Llapi ka nënshkruar kontratë 1 vjeçare me qendërmbrojtësin nga Tetova, Xhelil Abdullai i cili së fundmi ishte pjesë e Renovës. Xhelil Abdullai, 27 vjeç, i lindur më 25.09.1991 i gjatë 1.90 është qendërmbrojtës. Ka debutuar tek Shkëndija dhe është shpallur kampion në edicionin 2011/12. Nga Shkëndija ka kaluar tek De Graafschap në Holandë, e pastaj tek MSV Duisburg. Ka bërë karrierë edhe tek Euromilk, ku më pas është rikthyer tek Shkëndija. Tash e tre edicione ka qenë pjesë e Renovës, ku në stinorin e fundit është paraqitur në 31 ndeshje”, shkruan klubi llapjan në Facebook, transmeton gazeta KOHA.
“I lumtur për startin e një eksperience të re në karrierën time”, ka shkruar Abdullai pas vënies së nënshkrimit për skuadrën e tij të re KF Llapi.