Sa herë që Beogradit i shkon mendja të testojë opinionin e gjerë publik, lëshon disa “miza” në Prishtinë dhe dihet se kush pastaj imiton zukamën e mizës. A e keni vërejt që plot miza kanë harru të piskëllojnë me zërin e tyre burimor, përderisa MIZ-oria mediatike e Prishtinës po e bën punën e saj të llakërdisë zhurnalistike
Nga Emin AZEMI
Një lexues që ndjek mediat në Kosovë dhe mundohet të kuptojë çka po ndodhë atje, në fund do të ngelë më shumë i hutuar se sa i sqaruar, më shumë i shastisur nga sasia e britmave të paartikuluara të jobashkëmendimtarëve, dhe shumë më pak i orientuar se çka në të vërtetë po ndodhë aktualisht. Tema e tanishme (“korrigjimi i kufijve”) që ka dalë nga “shishja e djallit” assesi të kthehet në normalitetin e komunikimit publik. Debati zhvillohet në disa nivele, kurse pjesëmarrësit vijnë prej “shkollave” të ndryshme të mendimit dhe dijes. Duke filluar nga gjithologët e Facebook-ut që japin turli mendimesh gjeopolitike e gjeolesharapi, e deri te gazetarët e publicistët e hutuar, të cilët kush thumbit e kush patkoit, e kanë bërë sferën publike, kush më shumë e kush më pak, një arenë eksperimentimesh e kacafytjesh teorike e retorike, ku secilit po i jepet mundësia të demonstrojë mungesën minimale të përgjegjësisë profesionale kundrejt atyre që i ndjekin. Pra, publikut i drejtohen, por atë nuk e respektojnë dhe presin kot prej publikut reagime, sepse publiku është i painformuar. Informacioni i klasifikuar është bërë privilegj i dy tre vetave në Kosovë, të cilët ose qëllojnë të rreziten bashkë në ndonjë plazh të rajonit, ose të pinë çaj rusi në ndonjë odë të Drenicës.
Mungojnë debatet e institucioneve me relevancë shkencore, tryeza e panele diskutimi as që dëgjohen gjëkundi, ndërkohë që Hashim Thaçi në pauzat ndërmjet dy rrezitjeve në diellin bregdetar, hedhë nga një margaritarë (në formë të llokumit) për shkëmbim territoresh,që përdoret pastaj nga mediat e analistët si argument pro dhe kundër.
Opozita, në anën tjetër, ka heqë dorë nga herezia e të qenit “e vetme kundër të gjithëve”, kurse “Mohikanët e fundit” po bëjnë gjumë vere, për t’u dukur më të freskët në shtator, atëherë kur pritet të rikthehen betejat politike të lëna përgjysmë. Disa bile edhe të harruara fare.
Kosova si temë ende e pambyllur në rajon, nuk mund të mos reflektohet edhe jashtë saj. Por, ajo që bie në sy është fakti se disa media në Prishtinë janë bërë rripa transmisioni të tezave që i dinë vetëm ata, kurse në anën tjetër është vetëm Hashim Thaçi, si institucion, që vetëm ai flet për tema kaq të ndjeshme. Sa herë që Beogradit i shkon mendja të testojë opinionin e gjerë publik, lëshon disa “miza” në Prishtinë dhe dihet se kush pastaj imiton zukamën e mizës. A e keni vërejt që plot miza kanë harru të piskëllojnë me zërin e tyre burimor, përderisa MIZ-oria mediatike e Prishtinës po e bën punën e saj të llakërdisë zhurnalistike.
Mediat e “mirinformuara” gjithmonë kanë qenë afër burimeve që politika i ka mbajtur gjysëmpublike për një kohë të caktuar, dhe këtu nuk ka kurrfarë sekreti profesional. Ajo që vazhdon të mbetet e pakuptimtë në krejt këtë “galimatijas” publik, është pamundësia e shoqërisë kosovare që të konsolidohet brenda parametrave të një zhvillimi normal universitar, medatik, akademik etj etj. për të kuptuar dhe dalluar produktin “burimor”që e ofrojnë mediat dhe parapolitikave që zihen e përzihen nëpër laboratore misterioze dhe pastaj servohen si gjoja ide origjinale të Prishtinës politike.
Mediat nuk prodhojnë ngjarje. Ato prodhojnë vetëm lajme. Në Kosovë po ndodhë e kundërta. Atje mediat po prodhojnë edhe ngjarje e më pak lajme. Madje rolin e mediave në Prishtinë e ka marrë edhe Presidenti Thaçi, i cili pas çdo daljeje publike, prodhon një ngjarje që përcillet me komentime e muhabete kontroverse. Thaçi është bërë si bloger që mbindërton realitete mediatike, jo sipas ngjarjeve që i dikton terreni nacional, por sipas një “settingu” misterioz që vetëm ai e di, dhe vetëm ai, askush tjetër, as Parlamenti, as Qeveria, as partitë politike, nuk janë në dijeni se çka po ndodhë në raport me Beogradin sa i përket temës së ashtuquajtur të “korrigjimit të kufijve”.
Ky inxhiniering i çuditshëm publik që po ndodhë në Kosovë, mund të ketë kosto në javët në vijim, kurse eksperteve iu mbetet të amortizojnë sa më shumë efektet e dëmshme që mund të vijnë prej tij. (koha.mk)