Kanë një nga porti erët më të mirë në botë, Alison Beker, por ndodh që edhe kampionët e Europës të jenë në krizë mbrojtësish ekstremë. Liverpuli ka konfirmuar se ka afruar për tri ndeshjet e turit amerikan 35-vjeçarin Endi Lonergan. Ish-gardiani i Prestonit dhe Lidsit do të udhëtojë me “reds”-at në SHBA dhe do të stërvitet me skuadrën e Klopit gjatë turit në Amerikën e Veriut.
Titullari Alison është ende duke shijuar pushimet pas Kupës së Amerikës me Brazilin. Ndërkohë që dy portierët e skuadrës së të rinjve, Kaoimhin Keleher dhe Vitezslav Jaros janë të dëmtuar. “E morëm këtë vendim, sepse jemi ngushtë me portierët, – tha trajneri i portierëve të klubit, Xhon Ahterberg. – Alison është me pushime, Kamil po huazohet te Hadërsfilldi, Kaoimhin është i dëmtuar, kështu që ne kemi vetëm Minjolenë dhe një djalë të ri, Dan Atherton”.
Lonergan, i cili është pa skuadër këtë verë pas skadencës së kontratës me Midëllsbroun, do të jetë nën urdhrat e Klopit përkrah portierit belg dhe të riut Atherton për sfidën e së shtunës kundër Borusias së Dortmundit. “Na duhet një mbulim më i mirë në stërvitje dhe ne menduam të marrim dikë, i cili do të na ndihmojë në mënyrë që të mos mbingarkojmë portierët tanë në stërvitje.
Në parim, ne po e marrim atë në stërvitje për ta sjellë në formë dhe pastaj do të shohim se si do të shkojnë gjërat prej andej. Është si një lloj marrëveshjeje që ai na ndihmon ne dhe ne e ndihmojmë atë për ta risjellë në formë”, nënvizoi trajneri i portierëve të kampionëve të Europës për sajtin e klubit. Ky lajm vjen pasi Klop konfirmoi se Minjole do të qëndrojë në Liverpul këtë sezon. Belgu, i cili është aktualisht numri 2 në “Anfield”, ka luajtur në të dyja miqësoret e deritanishme të skuadrës, kundër Tranmeres dhe Bredfordit dhe do të ketë më shumë minuta në dispozicion në SHBA nëntë ditët e ardhshme.