Rrugëtimi i paharruar i Liverpulit në sezonin e kaluar në Champions i ka sjellë një fitim marramendës prej 575 milionë paund ekonomisë britanike. Kjo, sipas një studimi të “Deloitte”. Impakti financiar në rajonin e Liverpulit me më shumë se 1.5 milionë tifozë që vizituan “Anfield” gjatë sezonit 2017-2018, vlejti 497 milionë.
Ishte skuadra angleze, ajo që i kërkoi “Deloitte Business Group” për të ekzaminuar impaktin ekonomik gjatë një ndeshjeje në sezonin e kaluar. Kujtojmë që “reis”-at arritën të shkonin deri në finalen e Champions-it në sezonin e kaluar, duke u mundur në ndeshjen e fundit ndaj Realit të Madridit me rezultatin 3-1. Ndërkohë, raporti mbi fitimet u bazua kryesisht në fitimet nga lokalet, restorantet, hotelet, taksitë dhe firma të tjera biznesi në zonën e “Merseyside” në ditën kur Liverpuli luante në shtëpi. Shifra prej 497 milionë paund përfaqëson vetëm 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Liverpulit.
Këto të ardhura u rritën edhe si pasojë e një ndryshimi të bërë në sezonin e kaluar në tribunën qendrore të “Anfield”. Me një rritje totale prej 54 mijë tifozësh, të ardhurat u rritën ndjeshëm. 115 milionë paund më shumë se një sezon më parë. Nga 1.5 milionë vizitues në sezonin e kaluar, 140 mijë erdhën përtej detit. Piter Mure, drejtori ekzekutiv i skuadrës, po mendon të rrisë akoma më shumë të ardhurat në klub, duke planifikuar një rritje të kapacitetit të “Anfield” në 60 mijë. Këto investime do të përfshijnë edhe zonën jashtë stadiumit, në hotele dhe restorante të ndryshme.