Liverpuli është skuadra e vetme në Premier Ligë që ka mposhtur Mançester Sitin kur në janar në “Anfield” arriti fitore me 4-3, mirëpo në fazën e parë në”Etihad” të kuqtë u shpartalluan me 5-0. Objektivi i të dyja skuadrave është plasmani në gjysmëfinale, por edhe të fitojnë trofeun e Çampions Ligës, derisa futbollistët e të dyja skuadrave janë të vetëdijshëm për kualitetet që i kanë dhe paralajmërojnë fitore.
Mbrojtësi i Liverpulit, Virgil van Dijk është i vetëdijshëm për kualitetet e skuadrës kundërshtare, por ai beson se me një përqendrim dhe përgatitje maksimale mund të ketë rezultat pozitiv. “Të gjithë e dinin se kushdo që do na binte do të ishte e vështirë. Siti janë një skuadër shumë e mirë dhe e vështirë për të luajtur kundër tyre. Duhet të jemi 100 për qind ose edhe më mirë për t’i mundur ata në dy ndeshje”, tha Vank Dijk për ueb faqen zyrtare të klubit.
Derisa, mesfushori i Mançester Sitit, Ilkaj Gundogan, thotë se objektivi është që ta fitojnë gjithë Ligën e Kampionëve. Gjermani beson te kualitetet e Sitit dhe me formën e mirë që po kalojnë ka pritshmëri të mëdha. “Duhet të luash ndaj më të mirëve për të shkuar në finale dhe natyrisht, ta fitoni. Isha mjaft më fat që të luaja në finalen e Ligës së Kampionëve të 2013 me Borusia Dortmundin, fatkeqësisht kemi humbur (nga Bajern Munihu), pra natyrisht që mezi po pres të shkoj në finale dhe ta fitoj këtë herë. Ky është qëllimi im kryesor. Fatmirësisht kemi fituar ‘EFL Cup’ dhe jemi të lumtur, kemi arritur trofeun e parë sezonal mjaft herë këtë sezon. Tani është në duart tona dhe askush nuk mund të në marrë. Për ne kjo është vetëm fillimi. Jemi në formë të mirë të përballemi me klubet elitare në Evropë”, u shpreh Gundogan.
Në përballjen tjetër, Roma do të përballet me atë Barcelonën në “Camp Nou” dhe “Giallorossët” do të tentojnë të bëjnë gjithçka për të ndalur një nga lojtarët më të mirë në botë.
Ndryshe, mbrojtësi i Romës, Kostas Manolas, thotë se “nuk ka mënyrë për ta ndalur” yllin e Barcelonës Lionel Messi. “Guardiola e kishte mirë kur ka thënë se nuk ka mënyrë për ta ndalur atë. Edhe nëse disi e bllokon, atje janë dhjetë tjerë që mund të të lëndojnë. Natyrisht Barcelona është diçka tjetër pa argjentinasit, por ne duhet të bëjmë më të mirën. E respektojmë Barcelonën, por jemi të vetëdijshëm për forcën tonë. E kemi treguar në fazën e grupeve se jemi skuadër e mirë, tani kemi ndeshje të dyfishtë kokë me kokë ndaj një kundërshtari të fortë. Ata janë favorit, por kur luan 11 kundër 11 kurrë nuk i dihet”, deklaroi Manolas.
Derisa, Edin Xheko beson se Roma do të jetë një kundërshtar i denjë për Barcelonën. “Barcelona është favorite jo vetëm për çerekfinalen, por për të fituar trofeun këtë sezon. Por nëse luajmë si ekip mund të shkaktojmë dëme. Nuk dua të duket si klishe por kualifikimi varet nga e gjithë skuadra dhe jo nga një lojtar i vetëm”, tha sulmuesi boshnjak.
DYSHET:
Barcelona – Roma
Liverpul – Mançester S.