Liverpool do të barazojë një rekord të padëshiruar 94 vjeçar nëse Chelsea i mund në ndeshjen e radhës të Premier League në “Anfield” të martën. Ekipi i Jurgen Klopp ka humbur tre ndeshje në “Anfield” brenda një jave, duke u skualifikuar nga dy kompeticone, por një humbje e katërt do të barazonte ecurinë më të keqe brenda në shtëpi që prej vitit 1923. Kjo javë me siguri që ka qenë më sfiduesja për Klopp që kur u ul në stolin e Të Kuqve në tetor të 2015. Humbja më e fundit erdhi kundër ekipit të Championship (kategoria e dytë) Wolves dhe Klopp e shfaq hapur pakënaqësinë e tij. “Nisja jonë e keqe i dha vetëbesim të menjëhershëm kundërshtarëve, dhe u duk qartë që nuk ishim gati,” shprehet gjermani. “Pjesa e dytë ishte më e mirë, dhe kështu duhet të ishte, pasi nuk kishte mundësi të shkonte më keq. Unë jam përgjegjës për formacionin, por mëson shumë gjëra rreth lojtarëve të tu në situata të tilla, por jam unë përgjegjës për këtë paraqitje. Nuk mund të them se nuk ndodhi asgjë, pasi e kundërta është e vërtetë, por nuk mund të vuajmë më shumë se ç’kemi vuajtur ditët e fundit.” “Duhet të kishim luajtur më mirë, rezultati ishte i drejtë,” shton Klopp. Ish-mesfushori Steven Gerrard i cili u rikthye te Liverpool si trajner i akademisë, ishte si analist te BT Sport dhe bëri thirrje për mobilizim në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Chelsea. “Ka ardhur koha për lojtarët të tregojnë se kush janë, duhet të reagojnë menjëherë dhe i duhet një paraqitje madhështore kundër Chelsea në disa ditë.”