Jurgen Klopp mbetet një admirues i madh i yllit kosovar Milot Rashica. Reprezentuesi i Kosovës ka pasur paraqitje jashtëzakonisht të mira individuale, por skuadra e tij Werder Bremen nuk ka pasur rezultate të kënaqshme dhe rrezikon rënien në një kategori më poshtë. E përditshmja gjermane Sport Bild ka raportuar se trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka kërkuar nga drejtuesit e klubit transferimin e Rashicës.
Gjermanit i pëlqen jashtëzakonisht loja e Milotit e cila përshtatet shumë me atë të Liverpoolit. Gjithnjë sipas Bild, Liverpool është gati ta paguajë klauzolën e Rashicës e cila është 38 milionë euro për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë. Gjithsesi në rast të rënies së Werderit në Bundesliga 2, atëherë çmimi i Rashicës do të binte dhe Liverpool mund ta transferojë atë për një shumë më të ulët. 23-vjeçari ka shënuar këtë edicion shtatë gola me Werderin dhe llogaritet si njëri nga anësorët më të mirë në Bundesliga. Klopp e sheh Rashicën si zëvendësuesin adekuat të Xherdan Shaqirit i cili pritet të largohet në verë nga Anfield.