Liverpool do të jetë në krye të Premier League për Krishtlindje, pas tre pikësh të tjera marrë në Molineux, fitorja e shtatë rresht në kampionat për The Reds, që shtojnë presionin mbi Manchester City-n.
Nuk ishte një ndeshje fantastike, për shkak të rrebeshit, por Salah e Van Dijk shënuan dy gola të bukur dhe skuadra e Jurgen Klopp nuk pësoi gol për të 11-tën ndeshje këtë kampionat. “Një paraqitje plot pjekuri”, tha Klopp pas ndeshjes dhe nuk e kishte gabim.
Ndeshja u vendos nga dy lojtarët më të mirë në fushë dhe nëse nuk e keni kuptuar ende, The Reds po kthehen në një skuadër të vërtetë, të kompletuar dhe me vetëdijen se mund të fitojë ndaj çdo rivali, duke u mbështetur edhe te dy yje të klasit botëror si Salah e Van Dijk.
https://twitter.com/twitter/statuses/1076231922953715712
Salah është tashmë një superstar, nuk ka nevojë të shkruhet pa fund për cilësitë dhe shifrat e tij impresionuese. Mund të flitet shumë më tepër për paraqitjen perfekte të Van Dijk, i cili në këtë moment nuk ka rival në planet, në rolin e tij.
Është 27 vjeç, në janar 2018 u ble për 84 milionë euro nga Southampton dhe tashmë kushdo që rrudhte buzët për atë shifër ka ndryshuar mendim. Jo vetëm kaq, por tashmë të gjithë e shohin qartë se Van Dijk bën repart i vetëm dhe ka ndryshuar gjithçka te Liverpol.
Një legjendë e Liverpool-it, Jamie Carragher, tha pas ndeshjes kundër Wolves: “Van Dijk i bën lojtarët rreth tij që të luajnë më mirë. Tony Adams i bënte mbrojtësit e Arsenalit të dukeshin yje, Van Dijk bën të njëjtën gjë”.
Ndërkaq, Jordan Henderson tregon çfarë ka ndryshuar tek Liverpool në krahasim me vitet e fundit: “Në sezonin 13/14 dolëm të dytët, por diferenca është te ndeshjet pa pësuar gol. Atëherë ne pësonim shumë gola, tani po i mbyllim ndeshjet pa pësuar, po mbrojmë shumë mirë si skuadër dhe Van Dijk e Alisson kanë përmirësuar ndjeshëm lojën mbrojtëse”.
Liverpool ka bërë disa blerje të mira vitet e fundit, por askush nuk ka pasur efektine Van Dijk, sepse deri vjet mbrojtja e Liverpool-it ishte shpesh objekt humori, me mbrojtësit e saj të çoroditur. Ka momente sikur gjithçka duket tepër e thjeshtë për Van Dijk: dominues në zonën e tij, nisje të aksionit sulmues, sprint për të treguar se mund të mposhtë edhe lojtarin më të shpejtë të kampionatit (Adama Traore), gola me peshë të jashtëzakonshme, për klubin e kombëtaren.
Me një Van Dijk në formë të tillë dhe me sulmin e frikshëm ku natyrisht spikat Salah, kush mund ta ndalë këtë Liverpool?
Look at that sprint from Virgil Van Dijk against one of the fastest player in PL, Adama Traore. Easily the BEST centre back in the world. pic.twitter.com/Df6OfxO18f
— Tiup Bola (@TiupBola) December 22, 2018