Nuk ka patur fitues në “Anfield Road”. Ndeshja e parë e 1/8-ave t ë Champions League mes Liverpool dhe Bayern Munich është mbyllur në barazim 0-0, edhe pse rastet nuk kanë munguar.
Kanë qenë vendasit ata që kanë shkuar më afër golit, por që kanë lënë për të dëshiruar në finalizimin e aksioneve. Rasti më i pastër ka ardhur në minutën e 33-të të pjesë së parë kur Mane ka dërguar topin jashtë pasi ka dalë i vetëm përballë Manuel Neuer.
Robert Lewandowski dhe Serge Gnabry kanë rrezikuar për miqtë. I pari është ndalur nga Alisson, ndërsa i dyti ka qenë i pafat, teksa gjuajtja e tij ka përfunduar pak sipër traversës. “Anfield” mbetet i mallkuar për gjermanët, të cilët nuk kanë shënuar asnjë gol në katër ndeshjet e fundit të luajtura aty.
Bayern, nga ana tjetër, mbetet një ekip i vështirë për trajnerin e “Të Kuqve”, Jurgen Klopp, i cili ka pësuar 16 humbje në 30 përballjet me Bayern, më shumë se ndaj çdo ekipi tjetër.