Ish-sulmuesi i Liverpool, Harry Kewell, ka thënë se klubi anglez ka bërë zgjedhjen e duhur kur ka zgjedhur të blejë atë në vend të Cristiano Ronaldo-s në 2003-in. Ish-trajneri i “Të Kuqve”, Gerard Houllier, ka zgjedhur të mos e marrë Cristiano Ronaldo-n sepse ai nuk donte të prishte strukturën e rrogave të klubit dhe australiani është i bindur se Houllier ka marrë vendimin e duhur. Liverpool, që interesohej për sulmuesin portugez kur ai ishte vetëm 18 vjeç, nuk kishte mundësi ta blinte atë, pasi kishte shpenzuar të gjitha fondet për adoleshentin francez Anthony le Tallec dhe Florent Sinama-Pongolle.
Kështu, “Të Kuqtë” kanë parë Ronaldo-n të transferohet të Manchester United për 12 milionë sterlina dhe të udhëheqë rivalët e tyre të përjetshëm drejt tre titujve në kampionatin anglez dhe triumfit në Champions League, pa përmendur trofetë e tjerë të fituar nga CR7 me “Djajtë e Kuq” para se të transferohej tek Real Madrid. Keëell, i cili tani është trajneri i Crawley Town, ka thënë për “El Bernabeu”: “Nuk e di nëse mund të thuhet se Liverpool ishte afër nënshkrimit me Ronaldo-n. Në kohën kur unë nënshkrova me Liverpool, mendoj se isha më i miri atë vit, për këtë arsye mendoj se Houllier ka marrë vendimin e duhur”. Kewell realizoi vetëm 12 gola me Liverpool në kampionatin anglez në pesë sezone.
Një tjetër pengesë për transferimin e Ronaldo-s te Liverpool ka qenë edhe rroga e lartë që kërkonte portugezi. Houllier ka konfirmuar pak kohë më parë se ai zgjodhi të mos e merrte Ronaldo-n kur iu paraqit kjo mundësi, duke thënë për “Liverpool Echo”: “Kishim një tavan për rrogat dhe ai kërkonte një shumë të lartë. Ndoshta do ta kishim fituar titullin me Ronaldo-n, por kishim Harry Kewell, i cili në atë kohë ishte i jashtëzakonshëm dhe shumë i uritur, por pësoi një dëmtim të keq. Nuk doja të prishja strukturën e rrogave sepse mendoja se do të krijonte probleme brenda skuadrës”.