Shkup, 14 mars – Parlamenti i Lituanisë sot me 108 vota “pro” dhe me asnjë kundër e ratifikoi Protokollin për Inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në seancën plenare mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Xhaferi paraprakisht pati takim me shefin e diplomacisë të Lutanisë, Linas Linkeviçius, i cili e përsëriti përkrahjen e Vilnusit për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në BE.
Linkeviçius shprehu kënaqësi që Lituania është mes vendeve të para të NATO-s që e ratifikon Marrëveshjen, si dhe për ndihmën që si pjesë e Grupit Vilnuis ia jep vendit në procesin e integrimit në Aleancë.
E përshëndeti edhe Marrëveshjen historike të Prespës e cila i hapi dyert Shkupit drejt NATO-s dhe BE-së dhe e përforcoi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
Shefi i diplomacisë lituaneze u shpreh se vendi në qershor do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.
Lituania është anëtarja e tetë e NATO-s që e ratifikoi Protokollin. E para këtë Protokoll e ratifikoi Greqia, pas saj Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa dje edhe Rumania.
Vendet-anëtare të NATO-s më 6 shkurt e nënshkruan Protokollin për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Pas ratifikimit të Protokollit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s.