Nëse partitë politike duan që të joshin sa më shumë njerëz që të dalin në zgjedhjet e 12 prillit, atëherë në listat për deputet duhet të kandidojnë njerëz që përmbushin standardet për të qenë deputet, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Sipas tyre, nëse partitë politike nuk duan të dështojnë atëherë duhet që të ofrojnë freski dhe risi, ndryshe dështimin e kanë të garantuar
Destan JONUZI
Shkup, 15 shkurt – Rritja e cilësisë, sa i përket përfaqësimit në Parlament, është njëra nga sfidat kryesore të partive politike në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend. VMRO-DPMNE-ja opozitare e Hristijan Mickoskit ka paralajmëruar se në listat e kandidatëve për deputetet për zgjedhjet e 12 prillit do të ketë figura krejtësisht të reja, ndërkohë që LSDM-ja e ish-kryeministrit Zoran Zaev, tanimë është deklaruar se në listat e kandidatëve për deputet do të ketë përfaqësim të barabartë gjinor, edhe pse një gjë e tillë nuk është kategori ligjore.
Në anën tjetër edhe partitë shqiptare po ashtu janë deklaruar se do të ketë risi në listat e tyre për deputet, duke respektuar edhe përfaqësimin e të rinjve dhe grave në to. Madje thonë se për zgjedhjet e 12 prillit do të garojnë me kuadrin më cilësor dhe më të përgatitur të fushave të ndryshme, jo vetëm që janë dëshmuar si anëtarë të partisë, por që janë dëshmuar edhe në shoqëri për punët dhe veprat e tyre. Gazetari dhe drejtuesi i programit politik “200”, Nazim Rashidi, thotë se risia duhet të jetë tek njerëz profesionistë dhe të ditur që të përmbushin standardet për të qenë deputetë. “Risia duhet të jetë tek njerëz profesionistë dhe të ditur që të përmbushin, nëse mund të them ashtu, standardet për të qenë deputetë. Ka ardhur koha që përfaqësuesit tanë të jenë dinjitoz, të kenë njohuri për politikën ligjet, sistemet që të mund në institucionin më të rëndësishëm të demokracisë, të dini të prezantojnë, mbrojnë ose nxisin zgjidhje ligjore. Prej kohësh presioni i shoqërisë është niveli i përfaqësuesve të jetë më profesionist dhe them se subjektet politike do ta reflektojnë këtë”, deklaroi për KOHA, Rashidi.
Sipas tij, opozita në vetvete do ti ketë të “rinj” kandidatë në lista, pritjet më të mëdha për të bërë freski mbase janë tek BDI. “Por të gjitha partitë në fund do të bëjnë kalkulime mes presionit publik, interesave partiake dhe kapaciteteve mobilizuese që kanë kandidatët në terren. Kjo ko për herë ka sjellë më të mirët në krye, por fitoren e partisë”, nënvizon ai.
Ndërkaq, analisti politik Gazmend Ajdini vlerëson se nëse partitë politike nuk duan të dështojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet që në listat për deputet të sjellin freski dhe risi. “Bazuar në hulumtimet e opinionit publik, mund të konstatohet se nëse subjektet politike dëshirojnë të kenë sukses në këto zgjedhje do të duhet të sjellin edhe risi në listat e tyre të kandidatëve për deputet. Theksoj “edhe risi” për shkak se është shumë e logjikshme në favor të kontinuitetit të paraqiten edhe figura me eksperiencë. Por përsëris së opinion kërkon rifreskim kadrovik në të gjitha partitë duke pasur shpresë në emra të rinj të cilët mund të sjellin kualitet plotësues në jetën politike ne vend. E gjithë kjo do varet edhe nga politikat e brendshme dhe kalkulimet e brendshme të partive për shkak se zgjedhjet në fund janë gjithmonë matematik dhe rezultati është në numra”, shprehet Ajdini.
Ndryshe, më 20 tetor të vitit 2019 liderët e partive politike parlamentare në Maqedoni, në një takim në rezidencën presidenciale në lagjen Vodno në Shkup, u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill. Ndërkohë nga 3 janari i këtij viti sipas dispozitave të Marrëveshjes së Përzhinos me vendi udhëheq kryeministri teknik Oliver Spasovski, ndërsa pritet që të shpërbehet Parlamenti, që zgjedhjet të shpallen edhe zyrtarisht. Ndërkohë, partitë VMRO-DPMNE, BDI vetëm se kanë filluar anketat në terren për të marrë mendimin e anëtarëve të tyre dhe qytetarëve se cilët nga kandidatët e mundshëm mund të jenë më të dobishëm për partitë. Ndërsa LSDM-ja vetëm se ka shpallur konkursin partiak për paraqitjen e kandidatëve për deputet të cilët do të garojnë në siglën e kësaj partie. (koha.mk)