Në këshilla komunale, sa më shumë prezencë të emancipuar e mendim urban, a nuk do sjellë një përparim e zhvillim më të madh? Pyetja mund të jetë retorike dhe përgjigjia e ditur. Por e paditura e madhe të cilës i tremben interesxhinjtë është se si do jetë sjellja e këtyre individëve, që përfshirjen, (të paktën deri më tani) e kanë kauzale, të pastër dhe me mision avancimin e civilizimit dhe janë jashtë strukturave politike që i kemi parë deri më tani. Sikur të jenë edhe pjesë e atyre nismave që njihen si “nisma me një kauzë”, por kur realizohen arrijnë të sjellin një jetë më të mirë për qytetarët, a nuk ia vlen të mbështeten?
Nga Nazim Rashidi
A kanë përfunduar përfundimisht çështjet etnike, apo edhe çështjet politike me karakter etnik në Maqedoninë e Veriut? Jo.
Kam përshtypjen se kjo konkurrenca etnike do të jetë prezente përherë. Gjithashtu kam bindjen se ndaj këtyre çështjeve do të duhet kujdes i vazhdueshëm që mos të ketë tensione të nivelit që të dominojnë shoqërinë. Por kur këto çështje, pra ato me karakter etnik po sfumohen, të tjera sfida me demokracinë po dalin në vëmendje. Të tilla janë diskutimet e kohëve të fundit me listat e pavarura për këshillet e komunave.
Nëse do të merret si i qëndrueshëm vlerësimi se temat etnike nuk dominojnë prej kohësh debatin politik, atëherë natyrshëm shoqëria jonë kalon në diskutime të tjera po aq jetike për përditshmërinë e individëve. Tejkalimi i kësaj çështjeje pa diskutim që sjell në fokus problemet e tjera, që në fund të fundit lidhen edhe me zhvillimin. Ose që të tregojnë se shoqëria do që të zgjidhen edhe problemet e tjera me të cilat përballet përditë, që nga pastërtia e deri tek punësimet dhe mirëqënia.
Prej kohësh po përpiqem që të artikuloj tendencat e një ndarjeje të re që vihet re në shoqëri e që evidentohet kur elementet etnike nuk dominojnë politikën. Po aq konstant është qëndrimi se veprimi politik i partive shqipare ka qenë drejt së njëjtave arritje kur janë diskutuar të drejtat etnike. Mund të kenë pasë dallime tek rrugët se si të arriheshin këto synime, por jo dhe tek vetë synimi. Por tani dallimet po vihen re në tjera dimensione, ndarja shoqërore po krijohet mes atyre që duan një të mirë të përgjithshme, që punojnë për zhvillim të përbashkët shoqëror dhe ata që kanë interesin mbi të gjitha. Interesin e përfitimit partiak e personal. Një ndarje mes atyre që janë pjesë e konjukturave politike ku bën pjesë edhe pushteti edhe opozita dhe atyre që sfidojnë këtë binom.
Mbase evidenca e kësaj që po them shihet tek nismat për lista të pavarura e si u trajtuan ato në opinion. Ishte diku mesi i korrikut kur në publik doli nisma “Më mirë për Tetovën”. Një nismë e nxitur nga aktivistë të shoqërisë civile, e cila duket shumë e qartë në synimet e saj. Në një intervistë një nga përfaqësuesit e kësaj nisme, Elmedina Abdullahi tha prerazi se ata do të kërkojnë më shumë transparencë dhe do të bëjnë më shumë të ditur në opinion se çfarë ndodh në këshillat komunal. “Gjithçka që miraton komuna, duhet t’ua përcjellim qytetarëve, ne do të luftojmë për transparencë, mbrojtje të mjedisit, për një qytet të pastër, të gjelbër dhe për një qytet me një plan. Ne duam të transferojmë aktivizmin tonë si një aktivist i shoqërisë civile në institucione dhe të jemi më afër informacionit”, kishte thënë ajo.
Pra ne kemi përshfaqjen e disa prioriteteve që shkojnë përtej atyre etnike, sepse problemet e qytetarëve janë të padurueshme më edhe në sfera tjera, por kemi edhe përshfaqjen e një mendimi dhe artikulimi politik që shkon përtej partive politike, që po i sjell skenës politike një dinamikë tejet civile e urbane, aq e munguar dhe e kërkuar.
Sinqerisht, ende nuk e di se sa sukses do të ketë kjo nismë në garat zgjedhore, por efektet e saj janë që tani evidente. Subjektet e mëdha politike kanë marrë nisma për ndryshimin e ligjit që listave të tilla të pavarura t’ua rrisin vështirësitë deri sa të hynë në garë. Propozime u bënë që të rritet numri i nënshkrimeve që lista të tilla, apo dhe kandidatë të pavaur të mund të hynë në garën zgjedhore. Kjo tregon qartë frikën e subjekteve politike se nëse ju rrëmbehet hapësira dhe argumenti, të përballur me disfatën e tyre përballë problemeve të pazgjidhura, ata do të mund të humbin edhe pushtetin. Kur e them këtë nuk mendoj se do humbin garën, por kontrollin e plotë mbi çështjet, të cilat kanë qenë me vite ekskluzivitet i tyre. Megjithatë siç thashë, ky është vetëm një fillim, dhe ky grup në Tetovë, apo dhe të tjera që mund të dalin, vetëm me kaq po japin një efekt. Edhe sikur mos të kenë fare sukses në zgjedhje, presioni që krijuan, do të bëjë në mos më shumë, të lëvizin subjektet politike që në ofertat e tyre të fusin shqetësimet e artikuluara nga nismtarët e listave të pavarura, ose edhe të mendojnë mirë se çfarë kandidatësh do të ofrojnë për këshilltarë e kryetarë. Për këtë do të flitet e analizohet edhe më pas, në varësi edhe të zhvillimeve të tjera. Por dua të mbes tek trajtesa në opinion të nismave të tilla.
Kur u bë publike nisma “Më mirë për Tetovën” në një anë dolën ata që mbështetën nismën, si vlerë të demokracisë që do sjellë zhvillim dhe në anën tjetër ata që e interpretuan si një pengesë, apo veprim që do dëmtojë strukturat politike ekzistuese, e si rrjedhojë zhvillimin.
Kjo ndarje e shikimit të kësaj nisme në fakt tregon edhe ndarjen se si shihet politika, ose nëse ajo do të vazhdojë te mbesë mes konjukturave ekzistuese ku interesxhinjtë dinë të veprojnë, apo do krijojnë terrene veprimi dhe atyre që duan një të mirë të përgjithshme dhe janë të gatshëm të lëkundin strukturat ekzistuese si rrjedhojë e dështimit të tyre. Në kontekst lokal (dhe jo vetëm), në këshilla komunale, sa më shumë prezencë të emancipuar e mendim urban, a nuk do sjellë një përparim e zhvillim më të madh?
Pyetja mund të jetë retorike dhe përgjigjia e ditur. Por e paditura e madhe të cilës i tremben interesxhinjtë është se si do jetë sjellja e këtyre individëve, që përfshirjen, (të paktën deri më tani) e kanë kauzale, të pastër dhe me mision avancimin e civilizimit dhejanë jashtë strkturave politike që i kemi parë deri më tani. Sikur të jenë edhe pjesë e atyre nismave që njihen si “nisma me një kauzë”, por kur realizohenarrinë të sjellin një jetë më të mirë për qytetarët, a nuk ia vlen të mbështeten?
Frika shfaqet pra për shkak të dy dimensioneve, e para, qartësisht për shkak të prishjes së balanseve në këshilla, ku shpesh këshilltarët as dihen kush janë e as çfarë bëjnë, por ku strukturat e partive aktuale politike kanë gjetur e gjejnë në vazhdimësi paqe, por që zgjidhjet që ofrojnë në vazhdimësi s’kanë qenë në favor të qytetarëve. Veç shikoni si janë qytetete tona. Asgjë që është bërë e re s’ka asnjë standard modern, edhe pse çdo gjë që është bërë e re, është dashur të bëhet për shkak të amortizimeve me vit, por kjo e reja ka aq pak standard, sa e edhe të vjetrat e të amortizuarat ishin më mirë. Kjo është fytyra e klasës aktuale politike. E vjetra që duhet të ndryshojë dhe e reja që s’ka pikë standardi. Për të ardhur keq. Këtë kanë prodhuar këshillet e këshilltarët me vite, ku vetëm interesat kanë dominuar. Dhe sigurisht prishja e kësaj paqe, i tremb konjulturat. Dhe e dyta, pse shfaqen frika ka të bëjë me moskuptimin fare të zhvillimit dhe si rrjedhojë edhe arsyes që këta individë përfshihen në veprime politike. Nëse shoqëria dhe eksponentë të saj, kanë prioritete të tjera tashmë, përfaqësues të politikës, të mbërthyer në klanet e tyre, e të rrethuar me individë që s’kanë pasur asnjë zhvillim personal, apo rritje individuale, por shohin gjithçka nëpërmjet përfitimit dhe rritjes së pasurisë, as që kuptojnë se pse dikush shqetësohet se plehrat nuk mblidhen, se pse rrugët e reja s’kanë asnjë standard, se pse shtyllat janë në mes të trotoarëve e sërish duhet të zbresësh në rrugë që të kalosh, se pse estetika e ndërtimeve është e shëmtuar, se pse kërkohet llogari, se pse transparenca është esenciale, të cilët në fakt nuk kuptojnë asgjë nga demokracia. Të cilët kanë ardhur në pushtet me mashtrime dhe mashtojnë të mbesin ende aty. Sepse nuk kuptojnë se pushteti s’është pronë private dhe se për veprimet e marra ka përgjegjegjësi.
Pa diskutim këta kanë frikë, e do të interpretojnë nismat e pavarura, me qëllim zhvillimin e rritjen e nivelit të politikës e polikëbërjes si kërcënim, sepse janë të kërcënuar personalisht, meqë çdo gjë ashtu e kanë parë dhe kërcënohen si konjukturë e cila ka gjetur veprimin edhe brenda garës pushtet opozitë. Por Jo.Realiteti është se ndryshimi i brezave dhe sidomos me zhvillimin që sjell edhe vetë koha natyrshëm, do të ndryshojnë edhe prioritetet. Këto nisma janë reflektim i këtyre pasqyrimeve. Ato më përshfaqen. Dhe po, kini frikë, se ndryshimi ka filluar, me ose pa suksesin e listave të pavarura në garat zgjedhore në Tetovë, a gjetiu.