Ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Zgjedhor nga ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq për lista të hapura zgjedhore, përsëri ka ndezur “kandilat e zjarrit” mes partive politike. Ata parimisht janë pro ndryshimeve, por kërkojnë të inkorporohen edhe propozime tjera. Ndërsa, njohësit e rrethanave politike në vend thonë se për këtë proces nevojitet inkluzivitet i plotë edhe i opozitës, sepse shumica parlamentare e ngushtë ka nevojë edhe vota nga opozita
Destan JONUZI
Shkup, 17 shtator – Pas paralajmërimeve të së martës të Ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq, gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të vitit 2021, duhet të mbyllet procesi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për sa i përket listave të hapura. Sipas tij procesi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor duhet të përfundojë gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale për arsye se një gjë të tillë e ka kërkuar Komisioni Evropian.
Partitë politike edhe pse janë pro ndryshimeve të paralajmëruara në Kodin Zgjedhor, përsëri kanë vërejtjet e tyre. Nga VMRO-DPMNE-ja e Hristjan Mickoskit kërkojnë që shumica parlamentare të tregojë qartë se çfarë synon të ndryshohet në Kodin Zgjedhor.
“Kjo është pikënisje e mirë për bisedime dhe ndryshim të Kodit Zgjedhor por duhet të theksojmë se nga LSDM-ja duhet të shprehen a është ky qëndrimi përfundimtar i tyre sepse një herë ishte diskutuar, ishte arritur në një përfundim dhe shumë herë ishte ndryshuar mendimi”, ka deklaruar për KOHA, Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së. Nga partia e Mickoskit përpos listave të hapura kërkojnë edhe ndryshime të tjera, si zbatimi i zgjedhjeve lokale në një rreth të vetëm zgjedhor, për të shmangur shpenzimet. Në anën tjetër, plani i pushtetit është që deri në prill të vitit të ardhshëm, gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor për lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash.
“Listat e hapura në zgjedhjet lokale do të jenë test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por, duhet theksoj, listat e hapura nuk nënkuptojnë një njësi zgjedhore. Për këtë çështje duhet të bisedohet edhe më tej”, ka theksuar në brifingun me gazetarët, Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë.
Edhe në bllokun politik shqiptar ka qëndrime të ndara rreth ndryshimeve të paralajmëruara në Kodin Zgjedhor. Nga BDI e Ali Ahmetit për gazetën KOHA thonë se janë duke shqyrtuar propozimin e ndryshimeve dhe se mund të kenë edhe ndonjë propozim shtesë për të njëjtin. Por, shtojnë se parimisht janë pro ndryshimeve të paralajmëruara në Kodin Zgjedhor.
Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës theksojnë se këto janë ide postelektorale, por kur kjo duhej të bëhej, dy partitë e mëdha maqedonase, por edhe partia shqiptare në pushtet, as që donin të dëgjojnë për këtë propozim.
“Ne jemi gati që sot të votojmë për një ndryshim të këtillë të Kodit Zgjedhor, Natyrisht, në këtë kod nuk është ky ndryshimi i vetëm dhe ne kemi më shumë gjëra që kërkojmë të ndryshojnë, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të shprehet në mënyrën më besnike”, deklarojnë nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët- Aletranativa.
Juristi Qenan Aliu thotë se për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nevojitet inkluzivitet i plotë edhe i opozitës, sepse mazhorancës së ngushtë i nevojiten edhe vota opozita.
“Për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit zgjedhor lidhur me implementimin e modelit me lista të hapura u tha dhe u premtua edhe në zgjedhjet parlamentare 2016 nga LSDM dhe disa parti tjera, por kjo nuk ndodhi. Tani përsëri nga ministri i drejtësisë u liferuar se do të iniciohet ky ndryshim. Megjithatë për këtë nevojitet inkluzivitet i plotë edhe të opozitës, sepse mazhorancës së ngushtë i nevojiten edhe vota nga opozita për këtë ndryshim, përveç votave në Parlament nevojite edhe një debat më i gjerë me asociacionet joqeveritare. Do të ishte mirë që kjo në zgjedhjet lokale të ishte si testim i parë. Nëse partitë politike shpërfaqin vullnet politik mendoj se do të mund të arrin të gjejnë kompromis lidhur me numrin e njësive zgjedhore gjithmonë duke argumentuar qëndrimet e tyre, ndërkaq listat e hapura për këtë ndryshim do të ishte e padiskutueshme”, deklaroi për KOHA, Qenan Aliu, jurist. Ai shprehet skeptik në sinqeritetin e liderëve të partive më të mëdha, sepse ndonjëri nga ata ndoshta nuk do të vendoste për të lëshuar fuqinë e përzgjedhjes dhe arbitraritetin e liderit në vend të procedurave demokratike statusor të partisë. “Çdo sistem dhe model zgjedhor i ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Por shoqëria duhet të bëjë atë që është më e përafërt me demokracinë e jo atë që është ngushtë e lidhur dhe e përafërt me vullnetin e të parit të partisë dhe lobeve të ndryshme për interesa konjukturale”, nënvizon ai.
Ndryshe, viteve të fundit Kodi Zgjedhor ka qenë temë aktuale para çdo cikli zgjedhor dhe se partitë kanë shprehur interesim për të bërë ndryshime, por deri më sot nuk kanë arritur të gjejnë kompromis. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në shtëpinë ligjvënëse dy deputet kishin ngritur iniciativë për ndryshime në Kodin Zgjedhor, por për shkak të përplasjeve mes deputetëve këto ndryshime nuk u miratuan. (koha.mk)