Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvendin e Kosovës. Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, në të cilën u vendos që seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës të mbahet të enjten, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, pas rreth 6 muajsh bojkoti. Pas mbledhjes së Kryesisë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti në një deklaratë për media tha se u kanë bërë gjithmonë thirrje që deputetët e Listës Serbe të kthehen në institucionet e Kosovës.
“Ata janë deputetë të Parlamentit të Kosovës, duke qenë të tillë duhet të vijnë dhe t’i mbrojnë interesat e qytetarëve që i përfaqësojnë aty dhe që i kanë votuar. I dimë problemet që janë ngritur, i dimë pengesat që i janë bërë vetë grupit parlamentar të Listës Serbe nga strukturat e caktuara për ta penguar Kuvendin e Kosovës dhe miratimin e ligjeve, por shpresoj që edhe ata do ta kuptojnë që janë në Kosovë, jetën e kanë bahskë me neve këtu, dhe bashkë me neve duhet ta ndërtojnë institucionin, duke përfshirë edhe ushtrinë dhe gjitha të tjerat”, tha Haliti. Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiç, për mediat serbe kishte theksuar se kthimi i tyre në institucionet e Kosovës bëhet për të penguar formimin e ushtrisë së Kosovës.
Lista Serbe kishte ngrirë punën e saj në institucionet e Kosovës në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar, për shkak të miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investimet strategjike. Një pjesë e tyre nga radhët e Lëvizjes së Socialistëve dhe PLS, pas gati rreth 3 muajsh bojkotim ishin kthyer në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa disa ditë më pas, ata ngrinë përsëri pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës, me kërkesën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.