Mijëra euro po i kushtojnë buxhetit të Kosovës zëvendëskryeministri, ministrat dhe deputetët e Listës Serbe ani pse ata kanë bojkotuar institucionet tash e disa muaj. Me 10 tetor të vitit të kaluar, Lista Serbe morri vendim që t’i bojkotojë institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi për miratimin e Ligjit për “Trepçën”. Por, serbët e Listës vazhdojnë edhe sot e asaj dite t’i marrin pagat që kanë në institucionet e Kosovës. Tani kur po bëhen gati pesë muaj, vetëm zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, ka marr 6 mijë e 775 euro, pasi paga e tij është 1355 euro në muaj. Ndërsa, dy ministrat e Listës Serbe, ai për Komunitete dhe Kthim dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, marrin nga 1270 euro e 50 cent, derisa për pesë muaj, buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar plotë 12 mijë e 705 euro, ani pse kanë bojkotuar institucionet e vendit. Një deputet i Kuvendit të Kosovës paguhet 1488 euro në muaj. Derisa Lista Serbe ka dhjetë deputetë, do të thotë se deputetët e Listës Serbe buxhetit të shtetit i kushtojnë 14 mijë e 880 euro në muaj në total. Ndërsa, për këta muaj prej se ata po e bojkotojnë punën e Kuvendit, buxhetit i ka kushtuar plotë 148 mijë e 800 euro. Përfaqësuesit e Listës Serbe pas bojkotimit të institucioneve të Kosovës kanë takuar kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, pas të cilit takim kishin lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se do t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës në bazë të vendimit të Vuçiqit.