Foshnja pesëmuajshe nga Topanica e Kamenicës që ishte infektuar me koronavirus, e cila po trajtohej në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është liruar në shtëpi, të martën.
Lajmin e ka publikuar kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kasatrati, përmes një postimi në Facebook.
Kastrati ka shkruar se nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës është informuar se të gjithë prekurit nga Covid-19 nga komuna e Kamenicës janë në gjendje shëndetësore stabile.
Postimi i plotë i Kastratit:
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u informuam se gjendja shëndetësore e foshnjës pesë muajshe të prekur nga virusi COVID-19 është mirë dhe se sot është liruar për t’u rikthyer në shtëpi.
Normalisht që foshnja dhe gjithë të prekurit tjerë nga ky virus duhet të qëndrojnë në vetizolim deri të shërohen, por është lajm i mirë që gjendja e të gjithëve është stabile.