Në Qytetin e Shkupit kanë treguar mirëkuptim për këta tregtarë që punojnë nëpër këto tezga të vendosur ilegalisht, dhe për këtë shkak, në bashkëpunim me “Skopski Pazar”, u kanë siguruar dhe ofruar tezga për shfrytëzim në kuadër të Bit Pazarit, me kushte shumë të volitshme. Ata dy muajt e parë kanë mundur ti shfrytëzojnë pa pagesë, ndërsa më pas ti paguajnë njëjtë si edhe shitësit tjerë
Aida XHONI
Shkup, 7 korrik – Shitësit ilegal të Bit Pazarit kanë zaptuar territor të ri dhe tani çdo të marte dhe të premte – organizojnë treg të tërë para ambulancës së Bit Pazarit. Në tokë, kutia kartoni… shiten ushqime të ndryshme, si pemë dhe perime. Pulat dhe zogjtë gjithashtu ofrohen për shitje, pikërisht para hyrjes kryesore të ambulancës, shkruan gazeta KOHA.
Pak më andej, drejtë stacioneve të autobusëve, në kuti kartoni shitet tekstil dhe enë të ndryshme, e si pasojë – trotuaret janë të uzurpuara tërësish. Diku-diku realizohen punë ndërtimore, me gjasë për ndërtim të korsive për biçikleta, ndërsa këmbësorët me të vërtetë janë në kërkim të hapësirës së lirë. Kurdo që të kalojnë andej, vazhdimisht dëgjohen komente të llojit se kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ka përzënë shitësit e egër nga njëra anë, ndërsa ata janë vendosur në anën tjetër të Bit Pazarit.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari thonë se për produktet e tilla, madje edhe nëpër tregjet e gjelbra të organizuara, ata ligjërisht nuk janë kompetent dhe shtojnë se kjo është detyrë e inspektorëve komunal. Nga Qyteti thonë se dy anët e Bulevardit “Kërste Petkov Misirkov”, në Bit Pazar, do të jenë të lira për lëvizjen e këmbësorëve dhe biçikletave.
“Këto ditë ekipet inspektuese realizuan edhe një aksion për çlirimin e hapësirës publike në afërsi të Bit Pazarit. Qyteti i Shkupit nuk do të tolerojë uzurpimin e hapësirës publike nga grupe dhe individ, hapësirë kjo e cila është e dedikuar për qarkullim të lirë të qytetarëve dhe do të vazhdojmë të ndalojmë këtë dukuri. Këtë vit janë realizuar një numër i madh aksionesh të koordinuara për largimin e tezgave të egra para tregjeve të mëdha të gjelbra, ndërsa janë larguar edhe automjetet e shitësve jo-legal nga më shumë lokacione. Si institucione ne kemi obligim ligjor ti lirojmë rrugët dhe trotuaret nga çdo gjë që e pengon realizimin normal të komunikacionit, ku marrin pjesë automjetet motorike, biçikletat dhe këmbësorët”, thonë për KOHA nga Qyteti i Shkupit.
Ata thonë se kanë treguar mirëkuptim për këta tregtarë që punojnë nëpër këto tezga të vendosur ilegalisht, dhe për këtë shkak, në bashkëpunim me “Skopski Pazar”, u kanë siguruar dhe ofruar tezga për shfrytëzim në kuadër të Bit Pazarit, me kushte shumë të volitshme. Ata dy muajt e parë kanë mundur ti shfrytëzojnë pa pagesë, ndërsa më pas ti paguajnë njëjtë si edhe shitësit tjerë.
Autoritetet e Qytetit të Shkupit shtojnë se në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera kompetente, do të vazhdojnë të veprojnë në drejtim të zhdukjes së kësaj dukurie, në pajtueshmëri me ingerencat e tyre ligjore, për përmirësimin e jetës së banorëve të Shkupit. Megjithatë, të vetmen gjë që e bëri Qyteti i Shkupit është vetëm dislokimi nga ana e Pazarit të shitësve ilegal, ndërsa askush nuk i prek në anën tjetër – aty para Ambulancës. (koha.mk)