Çmimet me pakicë të derivateve të naftës prej sonte në mesnatë do të lirohen për gjysmë deri në një denar për litër, ndërsa çmimi i benzinave mbetet i njejtë, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE). Me vendimin bëhet ulje e çmimeve rafinerike dhe me pakicë të derivateve të naftës në mesatare për 1,32, gjegjësisht për 0,09 për qind.
Çmimi me pakicë i EURODIZEL (D-E V) lirohet për gjysmë denar për litër dhe do të kushtojë 52,5 denarë, ndërsa çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) lirohet për një denar për litër dhe do të kushtojë 41 denarë. Çmimet me pakicë të EUROSUPER BS-95 dhe të EUROSUPER BS-98 nuk ndryshojnë, gjegjësisht mbeten 66,5 dhe 68,5 denarë për litër. Me vendimin e KRRE-së për 0,347 denarë për kilogram lirohet edhe çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS dhe do të kushtojë 27,498 denarë për kilogram. Si arsye për lirimin e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës nga KRRE e theksojnë për 1,36 për qind çmimin më të ulët mesatar të naftës së papërpunuar në tregun botëror në 14 ditët e kaluara.