Ka nisur karrierën si bokser, ndërsa ka mbaruar studimet në master edhe për kriminalistikë. Ka punuar në ushtrinë amerikane, kurse tani sportin e boksit e ka primarë. Lirim Rufati, apo siç e njohin në SHBA si Lenny dhe me nofkën Gorilla, është djaloshi nga fshati Bogovinë që jeton tashmë ëndrrën amerikane. I lindur dhe rritur atje, por duke mos harruar gjuhën shqipe, vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar mbi karrierën e tij
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Sa kohë ka që merresh me këtë sport?
Me këtë sport merrem gati tre vite e gjysëm.
KOHA: Të ka inspiruar dikush më herët dhe kë e ke pasur idol?
Si gjithmonë kam pasur qejf sportin e boksit dhe kam ndjekur ndeshjet e Mike Tayson, gjithashtu idoli im mbetet Muhamed Ali dhe Khabib Nurmagomedov dhe njëra prej arsyeve pse pëlqej këta sportistë është feja islame që e praktikoj edhe vet.
KOHA: Po sa kohë ka që jeton në SHBA?
Në SHBA kam lindur dhe kam jetuar gjithmonë, kurse familja ime është nga Bogovina e Tetovës, ku kam qenë disa herë dhe kam shumë miq.
KOHA: Si shqiptarë, a je ndier i diskriminuar atje në ndonjë rast?
Jo asnjëherë, në Amerikë diskriminimi është shumë i ulët ose të themi nuk ekziston fare.
KOHA: A i ke rënë pishman që merresh me këtë sport?
Jo, është ëndrra ime që të merrem me sportin e mundjes dhe shpresoj të vazhdoj gjatë kohë derisa mosha dhe shëndeti të më lejojnë.
KOHA: Ke menduar ndonjëherë t’i largohesh?
Jo asnjëherë, dëshira dhe vullneti është shumë i madh dhe besoj te vetvetja në ëndrrën time.
KOHA: Ju keni qenë dhe ushtar në ushtrinë amerikane, si mund të përshkruani këtë përvojë?
Po kam qenë ushtar dhe aty ishte momenti që vendosa të merrem me këtë sport, pasi aty morra vullnetin dhe guximin për tu përballur me kundërshtarët dhe respektin e ndërsjellë.
KOHA: Krahas këtij sporti, me çfarë tjetër merret Lirimi?
Krahas sportit të mundjes, merrem edhe me kuzhinën, menaxhoj një restorant dhe ndihmoj babain me pizza që është profesioni tij dhe ka në pronësi restorantin e tij. Gjithashtu jam i diplomuar në master për kriminalistikë.
KOHA: Viziton shpesh vendlindjen?
Gjithmonë kam qenë në vendlindje gjatë kohës së verës, kam shumë familje dhe më pëlqen shumë Bogovina, madje gjithmonë mundohem të flas si atje.
KOHA: A mund të bëni dallimin e jetës mes SHBA dhe Maqedonisë?
Në Maqedoni më pëlqen jeta në fshat dhe traditat, feja, për pushim sidomos, por mundësitë që të merrem me sportin tim mi ofron Amerika, kështu secili vend ka rëndësinë e vet.
KOHA: Sa fitore dhe humbje numëron deri më tani?
Në mundjet amatore kam pasur shumë ndeshje dhe në shumë ndeshje kam dalë fitues. Por ka kohë që kam filluar rrugëtimin për në UFC dhe dy ndeshjet e para i kam fitore, po me ndihmën e Zotit pas disa ndeshjesh besoj të arrijë ëndrrën time si shqiptarë të jem në UFC, ose ligën e parë.
KOHA: Je dorëzuar ndonjëherë në këtë sport apo je kokëfortë si njihen shqiptarët?
Prej kur kam filluar asnjëherë nuk kam kthyer kokën prapa, dëshira dhe vullneti është shumë i madh dhe gjithmonë jam i motivuar për secilën ndeshje, ndoshta kokëfortësia dhe gjaknxehtësia si shqiptarë është gjithmonë aktive në zemrën time. (koha.mk)