Urim HASIPI
Tetovë, 12 prill – Rikonstruimi i çatisë së shkollës fillore “Liria” në Tetovës, me siguri do të fillojë kur do të përfundojë viti shkollor në qershor. Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, prej nga njoftuan se procedurat e tenderimit janë në përfundim e sipër dhe më pas pritet që të fillohet me punë, shkruan gazeta KOHA. “Procedurat rreth furnizimit publik janë në përfundime sipër dhe kur të njëjtat të përmbyllen, atëherë edhe do të fillohet me punë. Mirëpo, që të mos ketë ndërprerje të procesit mësimorë, punët me siguri se do të zhvillohet në atë moment kur do të përfundojë edhe viti shkollorë”, tha këshilltari në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri. Ai nënvizoi se rikostruimi i kulmit të kësaj shkolle është pjesë e ministrisë së arsimit dhe nuk ka pasur pengesa për shkak të zhvillimeve politike në vend. Në ndërkohë nga Komuna e Tetovës, njoftuan se në këtë shkollë janë zhvilluar disa punë të cilët kanë qenë të domosdoshme në aspektin e infrastrukturës. “Si pjesë kryesore ka qenë që të përgatite projekt për rekonstruimin e objektit shkollor, të bëhet analiza sizmologjike për qëndrueshmërinë e objektit, janë rikonstruuar tërësisht të gjithë nyjet sanitare në shkollë. Është rikonstruar biblioteka e shkollës, janë ndërruar dyert e 20 klasave, Nansen qendra për dialog, ka bërë rregullimin e katër klasave me pllaka, lyerje, ndërrimin e dritareve te korridorit në pjesën e podrumit dhe mjete tjera mësimore, si rezultat i kyçjes së shkollës në këtë projekt, rikonstruimi i tërësishëm dhe pajisja e paraleles speciale për nxënësit me nevoja të posaçme, ndërsa Komuna e Tetovës në buxhetin e vitit 2017 ka ndarë 25 milionë denarë që do të shfrytëzohen për rikonstruimin e shkollës fillore Liria”, tha Armend Fazliu, nga zyra për informim në Komunën e Tetovës. Edhe pse shkolla fillore “Liria” në Tetovë është ndër më të vjetrat në qytet, megjithatë objekti i kësaj shkolle asnjëherë nuk është rindërtuar apo rikonstruuar në mënyrë të mirëfilltë, duke bërë kështu që e njëjta të jetë në rrezik për t`u shembur gjithnjë gjatë tërë kohës, ndërsa reshjet e fundit të shiut në tetor të vitit të kaluar, shkaktuan shumë dëme në çati, duke bërë që në katin e dytë të ketë edhe vërshime dhe dëmtime të disa klasave. Prindërit në atë kohë, kërkuan që fëmijët e tyre të mësojnë në objekt me kushte më të mira dhe më të sigurta. Përveç problemit me objektin gjegjësisht çatinë që pikon dhe rrezikon të shembet, po ashtu problem në këtë shkollë janë edhe nyjet sanitare dhe sistemi i vjetruar i rrjetit elektrike. Sipas drejtuesve të shkollës sistemi i rrjetit elektrik është mjaft i vjetruar dhe ekziston rreziku gjithnjë që të shkaktohet zjarr në këtë shkollë.“Kërkesat e shkollës gjithmonë kanë qenë që të bëhet riparimi ose ndërtimi i një objekti të ri dhe kjo do të shqyrtohet në bazë të asaj që do ta vlerësojnë ekspertët se sa është qëndrueshmëria e objektit të shkollës dhe ata na thanë që pas kësaj ekspertize do të merret vendimi se a do të bëhet riparimi i tërësishëm i shkollës apo ndërtim të objektit të ri”, tha për KOHA, Shpresa Iseini, drejtoreshë e shkollës fillore “Liria”. Ndryshe, shkolla fillore më e vjetër në Tetovë, “Liria”, si pasojë e pullazit të vjetruar, nga reshjet uji kishte depërtuar edhe në katin e dytë, duke rrezikuar kështu nxënësit dhe stafin punues të shkollës. Autoritetet e shkollës që nga fund-viti i kaluar kanë marrë vendim që të mos zhvillohet mësimi në katin e dytë të objektit dhe nxënësit mësojnë me orare të shkurtuar dhe në tre ndërrime.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara