Njohësi i çështjeve të mediave, Arben Ratkoceri, vlerëson se liria aktuale e mediave është rezultat i ekonomisë së dobët. Problem në vete Ratkoceri nënvizon edhe statusin e padefinuar edhe të portaleve të cilat ngarkojnë statusin e mediave në përgjithësi.
“Mos të harrojmë, Maqedonia është një shtet do të kisha thënë i varfër dhe mediat, para së gjithash ato private, kryesisht varen nga marketingu nga kompanitë private e të tjera, që në njëfarë forme kur të kesh një bazë materiale është e siguruar edhe liria e mediave, kuptohet që do të jetë më e zhvilluar më para, e tjerë. Mirëpo tani kemi edhe një trend të ri teknologjik të portaleve ku dikush i trajton si media dikush nuk i trajton, e cila nuk është e rregulluar me ligj dhe në njëfarë forme nëse e shohim në total, nëse arrihet që tek portalet të paktën të vendoset një farë rendi ashtu siç është e rregulluar në BE, mendoj që edhe Maqedonia diku do të jetë aty si vendet e rajonit ose si nivelet e tjera shoqërore që i kemi në Maqedoni”, deklaroi për MTV2, eksperti i mediave, Arben Ratkoceri, transmeton KOHA.
Nga ShGM, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Instituti Maqedonas i Mediave rikujtojnë nevojën e angazhimit serioz për zbatimin e reformave madhore në media.
“Rikujtojmë se ndryshimet kryesore në sektorin e mediave ende nuk kanë përfunduar, në mesin e tyre reformat në servisin publik dhe rregullatorin e mediave. Përpos kësaj, mediat komerciale edhe më tej po përballen me tregun e vogël dhe të kufizuar të marketingut, që ndikon në përmbajtjet e mediave. Njëkohësisht apelojmë pushtetin dhe institucionet që çdo vendim në drejtim të përmirësimit të statusit të mediave të merret në koordinim me komunitetin e mediave dhe gazetarëve në vend”, thuhet në kumtesën e përbashkët të ShGM-së, Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Institutit Maqedonas të mediave.
Sipas raportit të fundit të “Reporterët pa Kufij”, Maqedonia e Veriut nga vendi i 123 është ngjitur në vendin e 90, duke i ikur vendeve afrikane për nga liria e informimit.