Uashington, 5 nëntor – Liria në internet është rrezikuar nga autokracia digjitale që ka kapluar gjithë botën, përderisa regjimet represive, politikanët dhe aktivistët partiakë me tendenca autokratike i përdorin mediet sociale për kontroll ndaj qytetarëve dhe shtrembërim të proceseve politike, thuhet në raportin më të ri të “Fridom haus” për lirinë e internetit, transmeton gazeta KOHA.
Si rezultat i situatës së këtillë, raporti vëren se ky është viti i nëntë me radhë që ka rënie të lirisë së rrjetit botëror të internetit.
“Shumë qeveri besojnë se propaganda e medieve sociale funksionon më mirë se censura”, thotë Majk Abramoviq, kryetar i “Fridom haus”.
Ajo që një herë ishte teknologji liberale u bë mjet për zbatimin e mbikëqyrjes dhe manipulimit zgjedhor, thuhet në raport.
Në mesin e vërejtjeve kryesore theksohen se nga qershori i vitit 2018, 33 nga 65 shtete kishin vërejtur rënien e lirisë së internetit, më së shumti në Sudan dhe Kazakistan, përderisa 16 shtete shënojnë përmirësimin e situatës, prej të cilave Etiopia me progres më të madh.
Raporti shënon sulm ndaj lirisë së shprehjes, gjegjësisht në 47 dhe 65 shtete të vlerësuara kishte burgosje të përdoruesve për shkak të shprehjes politike, sociale dhe fetare.
“Fridom haus” mëson se liria e internetit në SHBA është në rënie.
“Ligjet amerikane dhe shërbimet emigruese kishin bërë monitorim të rritur të medieve sociale, ndërsa në disa raste edhe ndaj aktivistëve të mbrojtur, si protestues të qetë”, bëhet e ditur në raport.
Viti i katërt me radhë, Kina theksohet si cenues më i madh botëror i lirisë së internetit, ndërsa platformat digjitale janë theksuar si sferë e re për betejën demokratike.
Sipas raportit, në të paktën 40 prej 65 shteteve, autoritetet kanë vendosur programe të avancuara monitoruese të medieve sociale që t’i ndjekin shfrytëzuesit. Përderisa vetëm në 16 vende ka progres në lirinë e internetit, edhe pse progresi ishte margjinalizuar.
Gjithnjë e më shumë qeveri hapin profile të rreme që të bëjnë manipulim të medieve sociale, duke përmendur shembuj në 38 nga 65 shtetet, ku liderë politikë punësojnë persona që të bëjnë presion onlajn ndaj oponentëve politikë.
Raporti potencon se disa qeveri demokratike e ndjekin sjelljen e qytetarëve të tyre onlajn, që t’i përmbushin kërcënimet, ndërsa në disa raste edhe për të heshtur opozitën.(koha.mk)