Thotë se po bëhen 29 vite në skenë dhe nuk ndalet, Liria Dedvukaj këngëtarja me origjinë nga Mali i Zi që jeton dhe vepron në SHBA rrëfen anën e saj në muzikë dhe jashtë skenës e për t’i treguar këto ne kemi realizuar një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Muzika live zë vend gjithmonë në repertorin tuaj, e ndien privilegj apo obligim ndaj publikut?
Duhet të vlerësojmë dhe të veçojmë këngëtarin që ka kapacitet vokal dhe skenik. Në kushtet tona, sidomos në organizimet familjare, siç janë dasmat, fejesat etj., muzika live zë vend të rëndësishëm dhe mendoj se është obligim për çdo këngëtarë që të dalë e të përformojë pran publikut live e jo playback. Për mua, por edhe për publikun është privilegj. Vërtetë ndihem mirë kur ata dinë të vlerësojnë këndimin live. Pa asnjë ofendim për këngëtarët e playback-ut, por duhet të dallohet artist i vërtetë.
KOHA: Cilat janë të rejat që je duke bërë gati për këtë vit si befasi për fansat?
Të reja të shpejta nuk kam. Ama, në plan kam për këtë vit të dal me një projekt të ri, por datën nuk e di. Presim!
KOHA: Ju këndoni edhe nëpër dasma e ahengje familjare? Ku e shihni veten më mirë?
Të këndosh në dasma është e veçantë dhe ndihem e lumtur që kam këtë talent. Nuk mund të bëj përjashtime koncerte-dasma, por fati më ka prirur më shumë në ato familjare, më së shumti nëpër dasma shqiptare, veçanërisht në SHBA. Është përgjegjësi dhe kënaqësi që dy persona në ditën e veçantë të jetës gjejnë besimin tek unë duke më lënë udhëheqësinë e pjesës së argëtimit/muzikës në duart e mia. Këtë pjesë e konsiderojnë si një ndër elementet më të rëndësishme të dasmës, që pa të nuk do të kishte kuptim kaq madhështor.
KOHA: Duke qenë se skena muzikore kohëve të fundit ka dalë nga kontrolli, ku e gjen veten ti?
Midis stileve të ndryshme që po dëgjohen si në Amerikë, ashtu edhe në Shqipëri, Kosovë e gjetiu, për punën time që bëj e gjej vetën te muzika popullore. Për dëfrimet e mia jashtë punës, me shoqëri, në shtëpi etj., përcjellë dhe argëtohem edhe me këngë të muzikës së lehtë, sidomos me hitet botërore.
KOHA: Këndon edhe tallava?
JO tallava! Them jo, jo vetëm pse nuk e dua, por as nuk më flenë kjo lloj muzike. E dua muzikën e pastër shqipe, sidomos muzikën e Shqipërisë së Veriut, pjesë së cilës jam edhe unë, si dhe këngët e pastra të krahinave të tjera shqiptare. Të gjitha këto i kombinoj me mënyrën time të kënduarit, paraqitjes skenike dhe të shoqëruarit orkestral.
KOHA: Cili është repertori që e kultivon më së shumti?
Më së shumti e këndoj repertorin e pjesës veriore të Shqipërisë dhe të një pjese të Kosovës, pastaj kam në repertor edhe ndonjë këngë nga trevat e Maqedonisë, të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.
KOHA: Po si nis një ditë e jotja dhe si mbaron një 24 orësh?
Kryesisht kam pesë ditë pushim dhe dy punë. Një ditë pushimi te shtëpia mund të jetë e ndryshme. Në rend të par i jap përparësi gjumit. Mbas shumë orësh gjumë, radha i vjen kafenesë së bashku me një ëmbëlsirë. Më pas vijon dita me lëvizjet e ndryshme, dreka, shoqëria, shooping, që asnjëherë nuk është e njëjtë. Pjesë e ditës janë ushtrimet fizike – fitness dhe e-mailat së bashku me rrjetet sociale. Mund të kem edhe obligime të ndryshme familjare dhe shoqërore, këtu bëjnë pjesë vizitat.
KOHA: Sa vite i ke bë në skenë dhe sa projekte numëron?
U plaka në skenë edhe pse nuk do dorëzohem aq kollaj deri sa të gëzoj shëndet të plotë. Njëzet e nëntë vite më bëhen këtë verë që kam dalë në skenë. Numëroj tre albume, disa singlla dhe video-klipe.
KOHA: Dhe kush është Liria jashtë skenës, për gjithë ata që nuk e njohin?
Uroj që të kenë rast të më njohin personalisht.