Një yll i ri i skenës shqiptare. Liri Tahiri është bë hit me këngën e fundit Pare e cila është bë viral në rrjetet sociale. Ai vjen në një intervistë për gazetën KOHA për ta njohur më ndryshe
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Një këngë e re që po shndërrohet në hit, si lindi ky projekt dhe e ndjeni në ajër se keni qëlluar në shenjë?
Ideja ka filluar në studio duke biseduar me producentin që tematika e këngës me qenë paraja, duke pas parasysh që çdo temë sillet tek parja. Po besoj që e kemi qëlluar në shenjë pasi edhe po pëlqehet shumë nga audienca.
KOHA: Kënga “Pare” po pritet shumë mirë, nisur nga titulli, nëse do të kishe vetëm një natë në dispozicion për të njohur një njeri si do ta nisje bisedën dhe a do i ofroje pare?
Nëse do kisha vetëm një natë në dispozicion do e nisja bisedën në një mënyrë kreative dhe jo nuk do ofroja pare.
KOHA: Sapo ke nisur karrierën e suksesshme, cili prej artistëve shqiptarë të ka lënë më shumë mbresa dhe kujt i ke vënë syrin për bashkëpunim?
Mendoj qe tregut shqiptarë i ka ardhur koha për Lirin pasi unë paraqes një stil komplet ndryshe dhe shumë unik nga të tjerët, për momentin nuk e kam menduar konkretisht se a do vij në ndonjë bashkëpunim apo jo.
KOHA: Ndërkohë, energjia që ke të kujton këngëtaret që marrin pjesë në festival, e synon si skenë dhe për të mbërritur atje?
Nuk besoj në festivale, dikur festivali ka qenë mënyra e vetme për me u prezantuar një artist, ndërsa tani kanë ndryshuar kohërat sot është komplet strategji tjetër.
KOHA: Po mendimi yt për festivalin “Kënga Magjike” cili është, kur do të të shohim në atë skenë?
Kam respekt për “Këngën Magjike” si festival, pasi nga aty kanë dalë shumë hite dhe shumë këngëtarë të mirë po për momentin nuk e shoh të arsyeshme pjesëmarrjen time aty.
KOHA: Në përballjen femra-meshkuj, në cilën gjini ke miq më të besuar në muzikë?
Miq më të besuar në muzikë, kam meshkuj më shumë.
KOHA: Beson te dashuria e vërtetë dhe pa kushte, dhe si e sheh veten në jetën private në të ardhmen e afërt?
Dashuria e vërtetë vështirë gjendet, por pasi të gjendet – besoj që nuk ka nevojë për kushte.
KOHA: Paratë sa të rëndësishme janë për të arritur qëllimet e tua dhe ti jeton për të fituar apo fiton për të jetuar?
Paraja ka rol të rëndësishëm në kohën që jetojmë sot por nuk do të thotë që paraja të sjellë lumturinë. Me para mund të kryesh obligime jetësore, unë fitoj për të jetuar dhe të përmbush ëndërrat e mia.