Të qëndrosh në Zvicër dhe mos e njohësh Lirin, është e pamundur, madje koncertet e këngëtarëve shqiptarë e madje dhe të huaj atje kalojnë nëpër duart e tij pasi ua bën make up-in që të duken bukur sigurisht. E ka nisur këtë punë prej vitesh dhe sot numëron shumë suksese e vite karrierë. Liri Joli vjen në një intervistë të gjatë për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar vështirësitë dhe rrugën e suksesit në këtë fushë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: E ndjek gjithmonë intuitën tënde?
Pothuajse 99% e ndjek intuitën time, ka raste që nuk e ndjek dhe në ato raste gjithçka shkon mbrapsht (qesh).
KOHA: Të tjerët të konsiderojnë një shembull shumë të mirë për t’u ndjekur?
Ndihem krenarë kur dëgjoj që jam shembull i mirë për të tjerët sepse me këtë shpresë ne jetojmë që të jemi shembull i mirë në çdo aspekt që bëjmë në jetë, qoftë në profesion, shoqëri apo familje.
KOHA: Di si ta bësh vetë, lumturinë tënde?
Të jem i lumtur vet është natyrisht të mbushësh veten me energji, një njeri që nuk është i lumtur ndoshta nuk mund të arrijë shumë ëndrra në jetë.
KOHA: Kur dhe pse u larguat nga Kosova, cili ishte qëllimi apo ke lindur në Zvicër?
Në Zvicër jam që nga viti 2005, isha 15 vjeçar kur erdha, arsyeja ishte sepse kisha babain që praktikisht ishte mbi 30 vite këtu.
KOHA: Çfarë keni vënë re gjatë gjithë këtyre viteve në Zvicër, cili është ndryshimi nga vendet shqiptare jashtë asaj pastërtisë dhe rregullës?
Gjatë gjithë këtyre viteve në Zvicër vura re që është një shtet shumë i fuqishëm në çdo aspekt, shkollimi, edukimi në sjelljet që në shumë shtete tjera fatkeqësisht mungojnë, edukimi në komunikim apo veprim, janë shumë korrekt dhe pa vonesë në atë çka bëjnë, i japin rëndësi takimeve në kohë..
KOHA: Jeni martuar dhe baba i një djali, si është për një make up artist me gjithë atë angazhim përkushtimi dhe për familjen?
Po jam që nga viti 2014 i martuar dhe kam një djalë, i cili quhet Lennis, angazhimet momentalisht janë të mëdha mundohem kohën e lirë ta shfrytëzoj maksimalisht me familjen edhe pse për momentin nuk kam shumë kohë të lirë, por fjalët që më motivojnë dhe mua janë (tani je i kërkuar dhe tani duhet ta shfrytëzosh kohën ndoshta vinë dhe ato ditë kur nuk do jesh më aq i kërkuar dhe do mbetet koha për ti bërë ato që nuk mund ti bëj tani), tjetra është që nuk është me rëndësi sa kohë ke për ta me rëndësi është që atë kohë që kemi të dimë si ta shfrytëzojmë…
KOHA: Je ashtu mashkulli tipik shqiptarë-xheloz?
Pa dyshim gjakun e kam të shqiptarit (qesh), jam xheloz, por në masë të shëndetshme.
KOHA: Ju mësuat profesionin e “make up-artist” nga ndonjë profesionist apo si filloi e gjitha e si u gjend Liri në këtë fushë?
Profesionin si hairstylist e praktikova 3 vite dhe në atë kohë fillova te praktikoj dhe fushën si Make-up artist, bëra shkollimet në Zvicër dhe pse stili dallon shumë nga Makeup Artistet këtu dhe tek neve, këtu gjithçka bëhet më natyral por vet fakti që kam klient të shumtë shqiptarë apo nacione tjera më shtyri dhe mua ti jap hapësirë kësaj fushe, bëra dhe disa praktika tek makeup artist të ndryshëm international një nga më të famshmit ishte dhe Mario që jam shumë krenarë me të që është shqiptarë dhe një njeri aq i dashur, saqë nga ai nuk mësova vetëm trika për makeup por mësova që të arrish sa të arrish mund të jesh ende njeri i thjeshtë në vete, ajo më la përshtypje pamasë.
KOHA: Keni punuar me shumë personazhe të njohur, na thuaj si është puna me ato?
Të punosh me personazhe të njohura është kënaqësi, patjetër që ke përgjegjësi më shumë, sepse ato janë visit kartat tona më të mira.
KOHA: Mendoni të zgjeroni familjen ende?
Unë si fëmijë kam pas ëndërr ta kem një djalë dhe një vajzë, por ta shohim ia lemë kohës.
KOHA: A e ke menduar ndonjëherë të ktheheni në Kosovë të jetoni?
“Never say never”, thënie e bukur, por të jem realist nuk e kam menduar ndonjëherë duke parë se të jetuarit në Europë është bërë modest të jesh disa ditë këtu disa andej e këndej jemi shumë në lëvizje dhe bashkëpunimet nuk mungojnë edhe nëse jeton në ndonjë shtet tjetër.
KOHA: Kur ka qenë dita më e vështirë në jetë?
Koha e luftës ka qenë koha më e vështirë, sepse nuk po e ceki ndonjë ditë të vështirë, mundohem ti largoj nga mendja ditët e vështira në jetë dhe t’i lë vend atyre të bukura.
KOHA: Po dita më e gëzuar?
Dita më e gëzuar natyrisht lindja e djalit më 15.03.2016.
KOHA: Duke pasur gjithë këto vite përvojë pune, cila mendoni se është ajo gjë që siguron suksesin në këtë fushë?
Kur punon me plotë dëshirë dhe pasion jo vetëm në këtë fushë, por në çdo lloj profesioni do jesh i sigurt.
KOHA: Keni menduar ndonjëherë ta lini këtë profesion apo të vendosni diçka tjetër primare?
Jo, sepse e kam punën hobby (nuk i dihet së ardhmes) por momentalisht nuk mendoj të lë këtë punë.
KOHA: Nëse do të jetonit në Shqipëri apo Kosovë, mendoni se do ishit duke bërë të njëjtin profesion?
Po të jetoja edhe në Afrikë do e praktikoja të njëjtin profesion (qesh).
KOHA: Cilat janë 5 produktet e makeup-it që i keni gjithnjë në sallonin tuaj?
Në fakt, i kemi të gjitha që nevojitet për të bërë make-up, mirëpo po ti them disa që pa to nuk mund të bëhet një Makeup Foundation: Poëder, Mascara, Rouge dhe Lipstick..
KOHA: Si është një ditë e zakonshme e juaja?
Nuk kam asnjë ditë të njëjtë të zakonshme, duke marrë parasysh që vazhdoj dhe jap seminare, bëj shou dhe shootings e gjithë kjo merr shumë një pjesë të kohës lirë.
KOHA: Një MasterClass në Kosovë keni menduar të zhvilloni?
Nuk e kam menduar, por pse jo do ishte kënaqësi.
KOHA: Një këshillë për të gjithë artistët e rinj që aspirojnë një karrierë në këtë fushë?
Këshilla ime për ta është që mos të ndalen të jetojnë atë që e duan në këtë fushë sepse vetëm atëherë mund te jenë të suksesshëm.