Shkup, 15 prill – Komuna e Sarajit me fonde të saj ditëve të fundit ka ndërmarrë aksion për pastrimin e liqenit ë Treskës, edhe pse tashmë një kohë të gjatë flitet dhe paralajmërohet një projekt i ri për dhënien e Liqenit të Treskës ndonjë investitori të huaj. Qytetarët të cilët frekuentojnë vazhdimisht liqenin shprehen të zhgënjyer nga gjendja e tanishme e Liqenit. Thonë se nëse komuna nuk është e aftë të mirëmbajë Treskën, opsioni më i mirë është ti jepet ndonjë investitori të huaj.
Duhet ta rregullojnë, para 10-15 viteve shumë mirë ka qenë kurse tani na vjen turp të vijmë këtu. Atëherë nuk mund të gjeje vend për tu ulur, tash është lënë pas dore. Thënë shkurt jam i zhgënjyer për këtë. Unë them që do bëhet më mirë nëse e merr dikush, më mirë do kujdeset.”
Besoj me shumë gjasë do të jetë më mirë ta merr ndonjë person fizik sepse do të punoj më shumë, kushdo që ta merr e ka problem më të madh pastërtinë. Do të ishte shumë mirë të kthehen disa nga elementet e reja që kishte Liqeni. Eventualisht të hapen më shumë kafene dhe lokale tjera.”
Nëse e mban Komuna si duhet është në rregull ta mban, nëse jo atëherë duhet ta merr ndonjë person fizik dhe flitet që e ka marr dikush. Por nuk e di sa është e vërtetë. Do kishim dashur që Liqeni të funksionon, të ketë lëvizje. Çdoherë që kishte zgjedhje këtu kanë ardhur politikanët dhe kanë premtuar që do të funksionon, që do të kenë qytetarët e Shkupit vend për tu freskuar, por asgjë nuk ka – thonë qytetarët.
Pas tentimeve të shumta nuk arritëm të marrim përgjigje nga Komuna e Sarajit lidhur me këtë çështje. Kohë më parë kreu i Sarajit, Blerim Bexheti premtoi se Liqeni Treska në një të ardhme të shpejtë të shpallet zonë e lirë turistike dhe aty të bëhen investime ndër më të bukurat në rajon duke shtuar se tashmë kanë marrë përgjigje pozitive nga Agjencia për Turizëm. Qyteti i Shkupit miratoi vendimin në shumë prej 7 milionë denarësh për përgatitje të projektit për ringjalljen e Liqenit Treska. Liqeni i Treskës është krijuar në vitin 1978. Kompleksi përfshin sipërfaqe prej 4500 metra katrorë, prej të cilëve një pjesë është sipërfaqe e gjelbër ndërsa pjesa tjetër i takon liqenit./ALSAT/