Dibër, 14 nëntor – Shoqata e peshkatarëve sportiv në Dibër “Trofta” informoi se Ministria e Bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave ka bërë shumimin me peshq të llojit krap në Liqenin të Dibrës. Sipas shoqatës, janë lëshuar 4000 njësi të krapit me madhësi nga 100 gram, ndërsa është vlerësuar vendimi i Ministrisë së Bujqësisë për të pasuruar liqenin e Dibrës me peshk të këtij lloji. Poashtu këtë aktivitet të Ministrisë e ka përshëndetur edhe pushteti vendor si dhe dibranët në përgjithësi.
Pasurimi dhe shtimi i peshkut në liqenin e Dibrës nuk është bërë një kohë të gjatë. Sipas kryetarit të shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta”, Dritan Bocku, koncesioneri ekonomik i fundit nuk kontribuoi për shumimin e peshkut në liqe, dhe faktikisht plot gjashtë vite derisa ishte koncesioner, gjuante peshk jashtë normave të përcaktuara me kontratën me çka dëmtoi rëndë fondin e peshkut në këtë liqe. Me këtë rast, Komuna Dibër dhe shoqata “Trofta” janë të mendimit se peshkimi sportiv dhe jo ekonomik është një mundësi e madhe edhe për zhvillimin e turizmit në Dibër.
Nga shoqata “Trofta” thonë se gjatë periudhës së kaluar, në bashkëpunim me policinë, u kapën peshkatarë ilegal si dhe sasi të mëdha rrjetash peshkimi. Ata thonë se vitet e kaluara, peshku i Dibrës gjendej edhe në tregjet e qyteteve tjera, për të cilën askush nuk ka bërë kontroll për këtë. Liqeni i Dibrës është i gjatë 24 km dhe përdoret për peshkim edhe nga peshkatarë nga qytete të tjera të vendit, por edhe nga Kosova. Momentalisht në këtë liqe ka ndalesë për gjuajtjen e troftës, për shkak të shumimit natyror të kësaj specie të peshkut. (koha.mk/V.S)