Zona malore e Karadakut të Kumanovës, kryesisht përreth liqeneve akumulues mbi Likovë, ka nevojë për një menaxhim të planifikuar, ku do të zhvillohej përveç turizmit malor edhe jeta rekreative e banorëve të kësaj zonë dhe përtej saj. Autoritet vendore të Likovës presin që së shpejti të hiqen barrierat ligjore që do të mundësonin investime në këtë zonë, ndërkohë që të interesuarit, sidomos mërgimtarët tanë në diasporë kanë në shansë ideale që të investojnë në vendlindje, duke kontribuar edhe në fisnikërimin ambientit dhe përparimin e ekonomive familjare
Qefsere ABDYLI
Shkup,12 tetor – Rajoni i Komunës së Likovës, që njihet ndryshe edhe si Karadaku i Kumanovës, përveç resurseve pyjore, bujqësore e blegtorale, ofron edhe një mundësi ideale për zhvillimin e turizmit malor. I ndodhur buzë bjeshkëve që kufizohen me Kosovën dhe Luginën e Preshevës, ky rajon ruan në vete bukuri përrallore që kanë nevojë për një menaxhim dhe trajtim të organizuar institucional.
Dikur ky rajon malor ishte i populluar me njerëz, por me kalimin e viteve ndodhi një migrim sistematik dhe për pasojë fshatrat u boshatisën, kurse kujdesi dhe interesimi për këtë zonë shkoi duke rënë. Viteve të fundit, falë iniciativave private, zonat malore mbi Likovë filluan të gjallërohen dhe vizitorë të shumtë nga Kumanova dhe vendbanimet përreth kanë një adresë ku të relaksohen, kurse jo rrallë edhe ahengjet familjare organizohen në restorantet e këtushme.
Por, në anën tjetër liqet akumulues në Gllazhnje dhe Likovë, tash e sa vite janë për mjerim, sepse janë të lëna pas dore. Për gazetën KOHA, Kryetari i Likovës Erkan Arifi, tha se me ndryshimin e ligjeve që janë bërë u lejohet që si Komunë të bëjnë plane urbanistike, ku dhe kanë filluar procedurat me të cilat gjenden në fazën përfundimtare. Arifi tha që vëmendje të veçantë po u kushtohet Pendës së Gllazhnjës dhe asaj të Likovës.
“Deri sa kanë qenë ligjet ekzistuese, ka qenë e ndaluar që diku prej 60 metër prej vijës liqenit të punohet diçka, ndërsa me plotësimin e ligjeve që janë bërë, na lejohet neve si Komunë që të bëjmë plane urbanistike, dhe jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së procedurave, kështu që një hapësirë prej diku 15 hektarë, kryesisht afër liqeneve akumulues të Gllazhnjës dhe Likovës, janë në dispozicion të zhvillimit të turizmit malor atje. Njëkohësisht, kemi përpiluar Strategjinë për zhvillimin e turizmit në Komunën tonë, por në fokus të veçantë kemi hapësirën rreth liqeneve. Ndërkohë kemi bërë përgatitjen e projektit kryesor për lidhjen e Likovës me këta liqe akumulues përmes një infrastrukture moderne rrugore, një ndihmesë kjo mjaft e madhe për urbanizimin dhe turizmin malor në këtë zonë. Në kuadër të këtij plani parashihet edhe ndërtimi i hoteleve, restoranteve ditore, parqeve të ndryshme, trotuareve dhe shtigjeve për rekreim”, thotë për gazetën KOHA, kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Kryetari Arifi na njoftoi se të gjitha këto plane nuk kanë mundur të bëhen pa një përgatitje paraprake të procedurave ligjore që janë të domosdoshme për zhvillimin e turizmit malor, sidomos në zonat përreth ujërave. Kjo gjithsesi i ka hapur udhë edhe mundësisë së përpilimit të një plani urbanistik që do të ishte konform natyrës dhe kërkesave të kësaj zone, e që ndërlidhen me zhvillimin e turizmit dhe rekreimit. Ai saktëson së Komuna është në fazën përfundimtare të planit urbanistik, por shton se nga ana e buxhetit shtetëror nuk kanë asnjë ndihmë, përveç për planin urbanistik që përfshinë një hapësirë prej 15 hektarëve.
Një problem tjetër që është paraqitur, sipas kryetarit Arifi, është edhe kërkesa e Drejtorisë së Pyjeve e cila kërkon dëmshpërblim prej 80 mijë eurove, me pretekstin se po bëhet shumimi i pyjeve, a në fakt kjo nuk është në plan por vetëm zhvillimi i turizmit malor, por që është e patjetërsueshme pagesa e kësaj shume si kush që të përfundohet procedura e urbanizmit.
I pari i Komunës së Likovës na njofton edhe me detajet e projektit për rrugët lokale, që përfshin asfaltimin në një gjatësi prej diku 10 km. Ai shpreson se do të fitojnë grantin prej diku 1 milion euro të kërkuar nga Banka Europaine Investuese dhe Banka Botërore, ku edhe është kaluar faza e parë pas aplikimit dhe tani pritet të kryhet faza e dytë e procesit. Me këto mjete, turizmi malor në këtë zonë mund të ketë një dinamikë zhvillimi, kurse investimet tjera do ta kenë më lehtë për shkak të parakushteve që mund të krijohen. (koha.mk)