Ish-trajneri i bardhezinjve Marcello Lippi, i intervistuar nga “Corriere della Sera”, ka folur për kampionatin, “arratisjen” e Juventus-it dhe ngjitjen e Interit:
JUVENTUS DHE ROMA – “Ndryshimi i modulit erdhi në momentin e duhur, duke dëshmuar se Allegri është një teknik me ide, të cilat i zbaton në momentin e duhur. Por idetë duhet t’i kenë edhe të tjerët. Si Roma? E prisja frenimin e saj. Me gjithë simpatinë që kam për Sampdoria-n, kur je në një moment kaq pozitiv, në avantazh dy herë, luan për titullin deri në fund: nuk e prisja ta linin ndeshjen në atë mënyrë. Gabimet e arbitrave? Skuadrat e mëdha nuk fiksohen pas këtyre: kur luftohet për titullin duhet mbajtur fort rezultati”.
NAPOLI – “Shpëtoi në shtëpi me Palermo-n? Dhe të thuash që është një skuadër që ka ditur të vuajë dhe të përballojë largimin e Higuain-it dhe dëmtimin e Milik, duke shpikur zgjidhje të reja. Por në momente të caktuara të ndeshjes së të dielës duhet të kishin shënuar edhe me sy mbyllur”.
MILAN – “Nisi një rrugë, me një mentalitet të rëndësishëm dhe një skuadër që luan futboll. Por tani duhen gjëra të tjera. Dhe besoj se është vullneti i vetë shoqërisë të sqarojë situatën e pronësisë dhe të ecë përpara me këtë projekt: njerëzit e duhur, duke nisur nga Montella, janë”.
INTER – “Anomalia ishte klasifikimi i mëparshëm? Jam dakord dhe qartësia e nevojshme për të cilën po flisja për Milan-in, tek Inter-i ka ardhur. Por qershia mbi tortë është trajneri: Pioli ka sjellë pjekuri, ekuilibër, kulturë futbollistike, entuziazëm dhe karakter. Rezultatet po vijnë, skuadra krijon, argëtohet, ka kualitet në lojëra: futbollistët duken si kushërinjtë e vetvetes. Për këtë Inter tashmë gjithçka është e mundur. Buffon ka thënë se janë më mirë se Real dhe Barcelona, vetëm lojë psikologjike? Jo, Gigi nuk bën vlerësime psikologjike, por lufton me gjithë shpirt. Dhe fiton gjithmonë. Ka thënë të vërtetën, edhe pse me shumë mundësi dhe shumë skuadra të tjera tani luajnë më mirë se dy gjigantët spanjollë. Por kur vijnë ndeshjet e vërteta ata rigjehen gjithmonë”.
CONTE – “Një befasi e bukur kualiteti i punës që ka bërë, duke pasur parasysh edhe problemet që kishte skuadra. Ka bërë zgjedhje, ka ndryshuar shumë mënyrën e mbrojtjes. Dhe po jep mësim për të tjerët, duke qenë se shtatë skuadra në kampionatin anglez tani luajnë me mbrojtjen me 3 si Chelsea i tij”.