Pas një muaji do të nisë sezoni 2017-2018 në ski dhe një nga protagonistet pritet të jetë 32-vjeçarja Lindsi Von, fituesja e 77 garave dhe 130 podiumeve në Kupën e Botës, një rekord. Ajo ka lënë pas krahëve dëmtimin e pësuar një vit më parë dhe është gati të rikthehet në pistë këtë sezon, me objektivin kryesor medaljen e artë në Lojërat Olimpike dimërore që zhvillohen në Korenë e Jugut. Prej kohësh ajo ka nisur stërvitjen dhe është gati për debutimin sezonal, që do të jetë më 28 tetor.
“Jam mirë, në formë dhe mezi pres të nisë sezoni i ri, për të bërë atë që di më mirë, të rrëshqas në pistë”, tha Von. Kampionia amerikane e skive, ka vetëm një medalje të artë dhe një të bronztë në Lojërat Olimpike, por synon që këtë vit ky numër të rritet. Disiplina e saj e preferuar është ajo e zbritjes së lirë, ky synon të ndërtojë bazat e triumfit edhe për sezonin e ri.
“Nuk ka për të qenë një sezon i lehtë, përkundrazi. Rivaliteti është rritur shumë dhe çdo garë ka të papriturat e saj. Jam dëmtuar disa herë vitet e fundit, ndaj duhet të jem e kujdesshme”, tha Von, që shpalos objektivat e saj. “Të fitoj sa më shumë, të fitoj në Kupën e Botës dhe në Olimpiadë. Për këtë po stërvitem dhe jam gati për sfidë”, deklaroi Von.