Janë bërë disa dekada që vokali i saj është i pranishëm në veshin e dëgjuesit shqiptarë. Këngëtarja e njohur shqiptare Lindita Purelku vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar mbi muzikën dhe karrierën e saj, të rejat e fundit që ka bërë gati për mbështetësit ndërvite si dhe flet për muzikën në përgjithësi
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Na thuaj si ndodhi që muzika u bë pjesë domethënëse e jetës tuaj?
Unë do ta kisha filluar këtë intervistë edhe do të isha përgjigjur me një thënie “Artisti lind, artist nuk bëhesh”.
KOHA: Ju vetë vini nga ndonjë familje muzikantësh apo nevoja, koha dhe dëshira për muzikën?
Jo, unë nuk rrjedh nga familje muzikantësh, në familjen time nuk ka kënduar askush. Dëshira për këngën ka lindur me lindjen time, si shumë e vogël e kam ndjerë muzikën në shpirtin tim.
KOHA: Na tregoni diçka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një këngëtarë si ju e bën të jetë i vetëdijshëm, se si ka qenë zëri i saj dhe kur keni filluar të këndoni?
Kam filluar të këndoj si një vogëlushe 10 vjeçare, sepse në atë kohë, nuk ekzistonin rrjete sociale dhe vendi i vetëm prej ku vinte zëri magjik ishte Radio ose Televizioni. Në atë kohë repertori, i cili dëgjohej, ishte kënga popullore me të cilën unë i fillova hapat e para dhe u prezantova për herë të parë para publikut ku idol dhe inspirim i kam pasur Parashqevi Simakun, Nazmije Hoxhën e disa tjera.
KOHA: Keni debutuar në skena të ndryshme, çfarë iu është dashur për t’u përshtatur në të gjitha këto vende?
Po, është shumë e vërtetë se jam prezantuar nëpër skena të ndryshme, mirëpo zëri im, këngët, prezantimi im skenik ka qenë i përshtatur për publikun.
KOHA: Jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë të bukura shqipe, nuk keni eksperimentuar shumë, pse?
Po njihem 30 vite në skenë dhe jam munduar ta mbajë gjallë këngën e mirëfilltë shqipe. Kam mundur të eksperimentoj, megjithatë nuk ka më mirë se të jesh ajo origjinalja ashtu si të njeh publiku. Albumi im me video të 10 këngëve cover, po ashtu projekti im i fundit tash para 1 muaj balada “Si do dal nuse prej shpisë” teksti Sami Aliu, Orkestrimi Ardian Kastrati, Video Bug Produkcion dhe tash këto ditë kanë dalë dy albume njëri me këngë të reja të punuara nga Artan Jusufi dhe me tekst nga Ejup Shabani dhe albumi me këngë të vjetra popullore të përzgjedhura të punuara në studion Erona Prizren nga violinisti i njohur Eroll Dogani dhe harmonikisti Lulzim Kryeziu, janë të rejat e fundit nga puna ime si këngëtare.
KOHA: Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore?
Talentin tim si e vogël e ka zbuluar babai im, i cili më anëtarësoi në SHKA “Ibe Palikuqi” prej ku filloi karriera ime muzikore e më pastaj vet puna, angazhimet, dashuria për këngën ndikuan për t’i bërë hapat më lehtë.
KOHA: Dhe gjatë kësaj karriere tejet mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoz apo e lodhur?
Përveç që kënga dhe muzika të jep kënaqësi, edhe ashtu si publiku na sheh çdo herë të buzëqeshur, mund të them se nga ana tjetër kam pasur situata ku kam qenë fizikisht e lodhur dhe nervoze se ky profesion kërkon angazhime, udhëtime në çdo kohë.
KOHA: Keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Jo nuk kam shkruar asnjëherë, se nuk kam prirje për të shkruar tekste, i kam bashkëpunëtorët e mi të cilët mi shkruajnë tekstet.
KOHA: Jeni një nga këngëtarët artistet më të preferuara të muzikës shqiptare?
Për këtë i falënderohem publikut dhe adhuruesve të mi që më kanë mbajtur dhe më kanë përkrahur gjatë gjithë këtyre viteve ku shpresoj edhe në të ardhmen.
KOHA: Çfarë repertori këndoni më së shumti, si e fillon një koncert Lindita dhe si e mbaron?
Zakonisht filloj me këngë të lehta duke vazhduar me ato atmosferike, pra varet nga vendi dhe publiku.
KOHA: Cili është sekreti yt që në skenë ti je energjike, këndon 5-6 orë pa pushim fare?
Sekret nuk ka, vetëm parapërgatitje, ushtrime të këngëve, shumë e sigurt dhe me shumë pozitivitet dhe mbi të gjitha – përvoja e bën të veten.
KOHA: Jetoni në ….?
Jetoj në Shkup, por e lindur në Kërçovë, pra jam kërçovare megjithëse si e vogël kemi ardhur në Shkup me familje ku jetoj, punoj dhe veproj.
KOHA: Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Çfarë mendimi keni për këtë?
Si çdo gjë që ndryshohet në jetën e përditshme, ashtu ka ndryshuar edhe muzika. Mendimi im është për gjeneratat që vijnë mos të ndikojë shumë muzika komerciale me elemente të huaja se ajo nuk është e përhershme dhe afatgjate, por të mundohen ta ruajnë muzikën e mirëfilltë shqipe. Kohën e fundit shoh dhe më pëlqejnë disa këngë të vjetra popullore që janë përpunuar me një ritëm më modern, ku mund të them se janë bërë të njohura nëpër shtetet e huaja…, pse jo sidoqoftë është e jona e jo e huaja.