Patriot LUMANI
Strugë, 12 janar – Për t’u dalë në ndihmë të moshuarve dhe familjeve në nevojë që janë në prag të ekzistencës në këto ditë të ftohta dimri, Kryqi i Kuq në Strugë, në bashkëpunim me Qendrën për mbrojtje sociale kanë inicuar një aksion në ndihmë të këtyre kategorive sociale, shkruan gazeta KOHA. Aksioni, sipas këtyre dy institucioneve, u ndërmor në funksion të ndihmës të moshuarve dhe familjeve me fëmijë të vegjël, të cilët janë edhe të evidentuar si kategori të rrezikuara sociale. Adhurime Dauti, sekretare e Kryqit të Kuq të Strugës, informon se aksioni i koordinuar edhe me drejtorin e Qendrës për mbrojtje sociale në Strugë, Vegim Nura, konsiston në atë që familjet dhe të moshuarit në vështirësi të marrin një ndihmë në ushqime dhe produkte sanitare. Deri tani, sipas Dautit, ky aksion është shtrirë pothuajse në të gjithë Komunën e Strugës, duke filluar nga fshatrat e malësisë së Strugës e deri në Frëngovë dhe qytet.
“Deri tani janë vizituar nga ekipet tona 18 familje, por ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim deri kur do të paraqitet nevoja për asistim të ndihmës. Target i ndihmës janë të moshuarit si dhe familjet me fëmijë të vegjël që vijnë nga kategoritë e rrezikuara sociale”, përfundon ajo. Ndërkohë, drejtori i Qendrës për punë sociale në Strugë, Vegim Nura, pjesë e këtij aksioni, nënvizon se tashmë përveç këtij aktiviteti, ky institucion kategorive sociale u ofron ushqim falas në mensën e qytetit ku përgatiten çdo ditë vakte të ngrohta ushqimore. Gjithashtu, në funksion të ndihmës së të pastrehëve, Qendra do të bëj strehimin e të pastrehëve dhe në këtë drejtim Nura apelon që të gjithë ata që shohin persona të pastrehë, të lajmërojnë në Qendrën për mbrojtje sociale apo në organet e tjera, në mënyrë që kjo kategori në këto ditë të ketë strehim të garantuar. “Aksioni në koordinim me Kryqin e Kuq do të zhvillohet edhe në ditë në vazhdim, në mënyrë që kategoritë e evidentuara në vështirësi, të marrin sadopak një ndihmë në ushqime dhe produkte sanitare”, përfundon Nura. Se realiteti te disa fatkeq për sigurimin e ekzistencës është një histori e dhimbshme dhe me plot vështirësi, kjo nuk është diçka e re. Njerëz që janë në limitet e mbijetesës detyrohen të presin ndihmën e shtetit, në mënyrë që të shtyn kohën me shpresën se një ditë do të bëhet mirë. Kriza e tejzgjatur ekonomike që po mbretëron prej kohësh në vend, ka dhënë sinjalet e saj edhe në Strugë, ku familje të tëra në pamundësi të mjeteve financiare për të siguruar produktet elementare ushqimore po shndërrohen në borxhli të përhershëm në shitoret dhe marketet e Strugës. Marrja me listë e ushqimeve elementare, si mielli vaji, kripa dhe sheqeri nga shumë qytetar struganë, shpjegohet me krizën e zgjatur ekonomike, të cilës nuk po i duket fundi dhe e cila nga dita në ditë po shton radhët e familjeve që përfundojnë në limitet e mbijetesës sociale. Kjo dukuri, e cila po masivizohet kohëve të fundit, konfirmohet edhe nga punonjësit e marketeve dhe shitoreve të shumta, të cilët tregojnë se në masë marrja e produkteve elementare me listë, është bërë mbizotërues dhe është rënduar veçanërisht gjatë dy viteve të fundit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.