Lideri i Nismës Socialdemokrate dhe nënkryetar i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj thotë se viti 2018 ishte vit i rëndë për Kosovën, por se vendi bëri një hap të madh të bashkimit për procesin e dialogut me Serbinë.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Limaj ka thënë se kthimi i dialogut në Kuvend, me formimin e ekipit shtetëror për bisedime është hap drejt unifikimit të faktorit politik të Kosovës për zgjidhjen e problemit me Serbinë.
“Që nga fillimi ky koalicion është ballafaquar me disa tema shumë të rëndësishme të së kaluarës, të cilat në një mënyrë apo tjetër e patën bllokuar vendin dhe e patën futur në një ngërç politik. Demarkacioni me Malin e Zi ka përfunduar, po ashtu si asnjëherë më parë ka pasur një interesim të veçantë të kësaj qeverie në ekonomi, e posaçërisht në promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Te dialogu arritëm që në fund të kemi një delegacion shtetëror, pra ta kthejmë dialogun në Kuvendin e Kosovës. Kthimi i dialogut në Kuvend është një hap i madh drejt unifikimit të faktorit politik të Kosovës për zgjidhjen e kësaj teme të madhe”, ka theksuar Limaj.
I pyetur se a mund të vlerësohet vit i mirë për Kosovën, dështimi me viza, mos anëtarësimi në Interpol, numri i vogël i njohjeve si dhe tërheqja e disa njohjeve, Limaj ka shtuar se ky viti që lamë pas ishte tejet i vështirë.
“Përjashtuar çështjen e vizave, është ashtu siç po thoni ju, sepse ka qenë një vit goxha i vështirë në këto tema. Fatkeqësisht, nuk arritëm të anëtarësohemi në Interpol për shkak të disa shteteve te të cilat diplomacia serbe ka qenë shumë agresive, prandaj nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi. Sa i përket liberalizimit të vizave, besoj se qeveria e ka kryer punën e saj, këtë e argumenton edhe rekomandimi i Komisionit Evropian i cili i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave të BE-së heqjen e vizave, pastaj ajo temë ka mbetur çështje e shteteve veç e veç. Shteti i Kosovës e ka kryer punën e vet. Mosrealizimi i liberalizimit të vizave ka ndodhur për shkak të hezitimit të shteteve veç e veç dhe disa prej tyre i kanë bërë publike hezitimet e disa jo, por arsyet dihen pak a shumë”, ka thënë tutje Limaj.