Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në lidhje me vrasjet e dy civilëve Ramiz Hoxhës e Selman Binishi. Gjykata Themelore ka hedhur poshtë akuzat nga prokuroria se Limaj si komandant i Brigadës 121 të UÇK-së, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar, apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. “Nuk provohen elementet e vepres penale dhe i pandehur lirohet nga aktakuza” ka thënë gjykatësi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi, më dy tetor të vitit 1998, duke pretenduar se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.