Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zv/kryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se Kosova nga bisedimet me Serbinë do ta sjell njohjen e pavërsisē, shkruan Gazeta Metro, transmeton koha.mk
Kryetari i Nismës ka thënë se problemi i Kosovës është Serbia dhe ky problem zgjidhet vetëm me njohje.
Limaj në një aktivitet të Nismës në Shtime ka thënë të shtunën në mbrëmje se Kosova futet në dialog me objektiv të qartë arritjen e një marrëveshje që çon të njohje.
“Kjo marrëveshje nuk shkon 10 vite, por kërkojmë të afatizohet në disa muaj. Jemi duke e ndërtuar kornizën e dialogimit. Kemi probleme për vite të tëra janë shkaktuar dëme që nuk është lehtë me u riparu. Ne po përpiqemi me pas një qëndrim unik”, ka thënë Limaj.
Limaj i cili është edhe bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka thënë se javën tjetër, delegacioni e procedon në Kuvend platformën e cila bazohet në Kushtetutë dhe Deklaratën e Pavarësisë.
“Kosova është shumë më rëndësi me qenë në tavolinë. Ju siguroj që marrëveshje të keqe vendit nuk i sjellim. Nënshkrim mbi marrëveshje të keqe nuk qesim. Këtë të qartë e kanë të gjithë”, ka shtuar Limaj.