Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka lënë të hapur mundësinë për negociata për përfshirje të mundshme në qeveri nëse i “kërkohet”.
Limaj në RTV Dukagjini ka thënë se pas procesit zgjedhor nuk është takuar me Albin Kurtin, por ka pasur takime me Isa Mustafën.
“Kam kontakte të rregullta me Isa Mustafën. Ne kemi takime të vazhdueshme miqësore me LDK-në – edhe takimi pas zgjedhjeve ka qenë i tillë”.
I pari i Nismës ka thënë se koalicionet qeverisëse janë bërë dy apo tri ditë pas zgjedhjeve, derisa, sipas tij, këtë gjë nuk po e shohim në këto zgjedhje.
“Nuk kam folur me Isa Mustafën për skenarë të mundshëm. Qytetarët e kanë dhënë verdiktin. Ka një vendim gjyqësor dhe dihet cilës parti i takon të formojë qeverinë”.
Limaj ka thënë se Nisma ka pritur që LDK-ja do të dalë fituese e zgjedhjeve dhe, sipas tij, atëherë do të ishte i qartë pozicioni i partisë së tij në favor të përfshirjes në Qeveri.
Megjithatë, Limaj ka thënë se është i gatshëm t’i përgjigjet ndonjë ftese nga Vetëvendosje.
“Jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo ftese për takim, por nuk e di çfarë do të pranojmë të bisedojmë në tavolinë”.
Limaj ka thënë se ka informata që, sipas tij, “nuk vijnë nga çarshia” se Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë takuar
“Informatat që unë kam ata [Hashim Thaçi dhe Albin Kurti] janë takuar. Ata kanë kompetencat e veta. Shenjat nuk janë të këqija [mes tyre]”.