Kumanovë, 1 qershor – Drejtori i Qendrës për shëndet publik-Kumanovë, Arif Latifi, sot kumtoi se nga 12 rastet e reja të të infektuarve nga rajoni të cilin e mbulon Qendra, 11 persona janë nga Komuna e Likovës. Këta persona ndërlidhen me klasterë tashmë të njohur, kumtoi drejtori i entit publik shëndetësor.
Njëri person i infektuar është nga Kumanova dhe është konstatuar në suaza të skriningut që po bëhet nëpër klube të futbollit. Ai informoi edhe se të vdekurit nga koronavirusi të moshës 73 dhe 66 vjeç janë banorë të Likovës nga fshatrat Sllupçan dhe Nikushtak.
Latifi edhe njëherë bëri thirrje që qytetarët t’i respektojnë masat për mbrojtje të shëndetit të vet dhe të familjarëve. “Maska, dezinfektimi, larje e duarve, distanca fizike, janë kyçe për t’u zbatuar, në mënyrë që të mbrohemi nga virusi”, theksoi Latifi. Ndryshe, më të goditur nga fshatrat e Likovës nga koronavirusi janë Sllupçani, Mateçi dhe Nakushtaku. Madje, nëse vazhdon kështu mosrespektimi i masve, Komuna e Likovës pritet të tejkalojë edhe Kumanovën. (koha.mk)