Shkup, 28 shkurt – Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik, Hazbi Lika së bashku me Sekretarin shtetëror, Faton Ahmeti, sot pritën në takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës në shtetin tonë, Gjergj Dedaj ku u përgëzuan për hapat historike që ka ndërmarrë vendi në integrimin euroatlantik duke përmendur këtu Marrëveshjen e Prespës, njofton Koha.
Ambasadori Dedaj, siç informojnë nga Sekretariati, fillimisht e përmendi hapin historik të Marrëveshjes së Prespës, si një indikator thelbësor në integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën euroatlantike. Bashkëbiseduesit theksuan se Marrëveshja e Prespës ka rëndësi të veçantë në konsolidimin e proceseve në rajon si dhe përforcimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Njëherit, Dedaj përshëndeti Likën për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që paraqet rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët, por edhe do të shërbejë në konsolidimin e marrëdhënieve ndëretnike në shtet dhe më gjerë. Gjithashtu ai përmendi edhe mundësinë për shkëmbimin e metodave për implementimin e ligjit për përdorimit të gjuhëve të cilat janë përdorur në Republikën e Kosovës.
Së fundmi, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e proceseve dhe projekteve të cilat do të ndihmojnë në afrimin e shqiptarëve, si dhe do të mundësojnë shkëmbimin e përvojave në sfera të ndryshme të cilat do ndikojnë në qëndrueshmërinë ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve në dy shtetet.
Në këtë aspekt, realizimi i mbledhjes së përbashkët qeveritare mes dy shteteve do të ndihmojë në përafrimin dhe forcimin e bashkëpunimit për një përfaqësim të denjë. (koha.mk)