Udhëheqja shoviniste maqedonase, me ndryshimin e këtij ligji, përveçse ndaj prindërve shqiptarë të cilët fëmijët e tyre do t’i emërtonin me emra shqip, si p.sh: Flamur, Flamure, Alban, Albana, Shqiptar, Shqiptare, Kastriot, Kosovar, Berat, Shkodran, Shkodrane, Elbasan, Korab, Lume, Lumjan, Dibran, Dibrane, Dukagjin, Milot…, masa represive parashikonte të ndërmerrej edhe ndaj të gjithë atyre mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve shqiptarë, të cilët kishin bërë korrigjimin e emrit apo të mbiemrit të nxënësve të tyre, si p.sh. Zenel në Zendel, Isen në Hysen, Isni në Hysni etj., apo Zendellovski apo Zenel në Zendeli, Isenovski apo Isen në Hyseni, Isniov apo Isni në Hysniu
Nga Qerim LITA
Viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar çështja shqiptare nën pushtimin e Federatës komuniste jugosllave në përgjithësi, e ajo e Kosovës në veçanti mori karakter ndërkombëtar. Ishin shumë faktorë që ndikuan në këtë, tre prej tyre si më të rëndësishme po i veçojmë: e para, demonstratat shqiptare të zhvilluara në Kosovë gjatë muajve mars-prill 1981; e dyta, vendosja e masave represive e të dhunshme ushtarako-policore në Kosovë menjëherë më pas, dhe: e treta, mërgata shqiptare që vepronte në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA.
Duhet të vihet në dukje fakti se, lufta e ashpër që filloi në Kosovë menjëherë pas demonstratave, u përhap edhe në viset shqiptare jashtë territorit administrativ të KSA të Kosovës, në radhë të parë në RS të Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në RS të Mal të Zi. Në emër, siç thuhej të: “vëllazërim bashkimit”, “bashkëjetesës në Kosovë” si dhe të “përmbysjes së nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, organet e sigurimit qofshin ato federative, republikane apo krahinore, ndërmorën një sërë masash preventive dhe represive kundër shqiptarëve në përgjithësi, posaçërisht kundër shtresës intelektuale.
Në RS të Maqedonisë, masat e para antishqiptare filluan menjëherë pas sjelljes së ashtuquajturës “Platformë politike për Kosovën”, nga ana e KQ të LKJ-ës, në tetor të vitit 1981. Të njëjtat do të zgjerohen në mbledhjen e 13-të të KQ të LKM-ës, (29 prill 1983) dhe atë të 12-të (23 shtator 1987), në të cilat u miratuan programe operative, për luftën e hapur dhe të pa kompromis kundër “arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare”, nën pretekst se në to “nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar kanë ndikim më të fuqishëm dhe i cili shprehet në forma dhe manifestime të ndryshme me implikime ideo-politike tejet negative, posaçërisht te gjenerata e re…”.
Shovinizmi shtetëror maqedonas kishte arritur deri në atë shkallë, saqë atij i pengonte çdo gjë shqiptare, përfshi edhe emërtimin e fëmijëve me emra burimor shqiptar. Përveç kësaj, për udhëheqjen komuniste maqedonase “nacionalizëm dhe separatizëm” ishte edhe në rast se nga ana e prindërve shqiptarë, gjatë regjistrimit të fëmijëve të tyre në klasë të parë të shkollimit fillor, kërkohej përmirësimi i emrave, veçanërisht të mbiemrave, ku nga ana e ofiqarëve maqedonas, në mënyrë tendencioze e arbitrare, në certifikatat e lindjes ua shtonin prapashtesën “ov” apo “ovski”. Një dukuri e tillë bëhej me qëllim të caktuar, për t’u krijuar përshtypja e rrejshme nga opinioni publik i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, se ato nuk janë shqiptarë, por “maqedonas të islamizuar”. Rastet e tilla haseshin zakonisht në vendbanimet rurale, përkatësisht në rrethet ku shqiptarët nuk përbënin shumicën e popullsisë, apo ofiqarët ishin maqedonas, apo vetëdija nacionale ishte në shkallë të ulët, si p.sh. në fshatrat kodrinore-malore në Karshiakë dhe Karadak të Shkupit, fshatrat shqiptare në komunën e Velesit, Prilepit, Kërçovës, Manastirit, Krushevës, Demir Hisarit, Brodit etj. Duhet theksuar se një numër jo edhe aq i vogël i popullsisë shqiptare nga këto krahina, për shumë arsye objektive e subjektive, edhe sot mbajnë mbiemra me prapashtesën “ovski” apo “ov”. Shembull konkret e kemi fudbollistin e mirënjohur shqiptar, Ezgjan Alioskin, i cili është i lindur dhe rritur në fshatin Cërnilishtë të komunës së Dollnenit, një vendbanim i pastër shqiptar.
Problemi i mbiemrave erdhi në shprehje gjatë vitit 1983, kur Shkupi zyrtar e filloi një fushatë të gjerë kundër të gjithë atyre arsimtarëve shqiptarë, të cilët mbiemrat e nxënësve të tyre i kishin regjistruar pa prapashtesën “ovski” apo “ov”. Këshilli Ekzekutiv i RSM-ës, përmes informatës tepër sekrete, gjatë muajit maj 1983 njoftonte Kryesinë e KQ të LKM-ës, se “thelbi i dukurisë dhe manifestimit armiqësor nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar” fillon nga viti 1970 e këndej. “Viteve të fundit, theksohej më tej në informatë, janë evidente dukuri masive të përmirësimit të mbiemrave të pjesëtarëve të kombësisë shqiptare …me ndryshimin e prapashtesës ‘ski’ dhe ‘ov’, me ‘u’, ‘a’ apo ‘i’. Me këtë në mënyrë shumë të përsosur manifestohet tendenca që ndaj një numri të caktuar të qytetarëve të kryhet ndryshimi i përkatësisë nacionale nga një numër i caktuar i qytetarëve”. Sipas informatës, bartës të “ këtyre dukurive”, paraqiteshin kryesisht punëtorë të arsimit, në mesin e të cilëve, siç thuhej “edhe një numër të personave të eksponuar mbi bazën e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Më tej, në informatë thuhej se “ndaj këtyre dukurive” paskan reaguar disa nga prindërit e këtyre nxënësve, mirëpo, punëtorët e arsimit u janë përgjigjur se “kjo është forma më e drejtë dhe se është në përputhje me gramatikën shqipe”, si dhe ajo se ka qenë dëshira e nxënësve. Nga të dhënat që i posedonte Këshilli, numri i përgjithshëm i mbiemrave të përmirësuar në mbarë territorin e RS të Maqedonisë ishte 2.234. Këtë përmirësim e kishin kryer gjithsej 224 persona, prej tyre 215 punëtorë të arsimit. Ky numër sipas rretheve ishte si më poshtë vijon: “Rrethi i Shkupit, 56 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 578 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Tito Velesit, 36 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 366 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Prilepit, 22 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 472 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Resnjës, 14 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 257 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Dibrës, 23 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 255 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Strugës: 26 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 218 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Manastirit: 6 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 87 fëmijëve dhe nxënësve etj”.
Gjithnjë duke iu referuar informatës së mësipërme, shohim se në komunën e Kërçovës, ndaj shtatë mësuesve shqiptarë ishte ngritur kallëzim penal. “Këta persona, thuhej në informatë, në harkun kohor 1978-1981 e kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimin zyrtar të mësuesit klasor dhe në ditarët dhe librat kryesore në shkollat ku kanë punuar i kanë përmirësuar mbiemrat e nxënësve, kështu që prapashtesat ‘ski’ dhe ‘ov’ i kanë zëvendësuar me ‘i’ dhe ‘u’…”. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në Gjykatën Themelore të Kërçovës, 6 prej tyre u dënuan me burg të rëndë në kohëzgjatje prej një vjet e gjashtë muaj, ndërsa i shtati u dënua me 5 muaj burg. Po për të njëjtën arsye, në Shkup gjashtë arsimtarë shqiptarë (pesë në SHF “Nikolla Vapcarov” dhe një në SHF “Penko Zdravkovski”), përveç se ishin përjashtuar nga puna, njëkohësisht ishin dënuar me burg të kushtëzuar, në kohëzgjatje prej 1 viti. Masa represive kundër arsimtarëve shqiptarë pati edhe në Strugë, Prilep, Manastir e Dibër. Është me interes të shpaloset pjesa e fundit e informatës, kur vetë hartuesit e saj, ishin në dilemë, se vallë ato masa represive që ndërmerreshin kundër arsimtarëve shqiptarë, a ishin në përputhje me dispozitat ligjore e kushtetuese?! Dilemës së parashtruar ata i përgjigjen si vijon: “…Duke e pasur parasysh se dukuria i përmban të gjitha elementet e veprës penale, e gjithashtu, se sjelljet e tilla mund të konsiderohen dhe vlerësohen si manifestim nacionalist, apo, vepër që i përshtatet nacionalizmit, është e nevojshme të kryhen konsultime politike të zgjeruara dhe të vlerësohet përshtatshëria e ndjekjes penale. Ndaj kësaj duhet të kihet parasysh, edhe pse nuk ka elemente të mjaftueshme për një vlerësim më të fortë se jo të gjithë bartësit kanë vepruar për motive nacionaliste e irredentiste, por është e vërtetë se dukuria iu përshtatet aspiratave nacionaliste e irredentiste shqiptare, për çka persona të caktuar kanë vepruar në mënyrë motivuese për ekzistencën dhe përhapjen e tij, krejt kjo me qëllim të rritjes numerike të kombësisë shqiptare…”.
Pikërisht kjo, si dhe shumë masa tjera antiligjore e antikushtetuese, që asaj kohe ndërmerreshin kundër shqiptarëve, e shtynë udhëheqjen politike maqedonase, të kërkoj nga organet ekzekutive dhe ato legjislative që të bëjnë ndryshimin dhe plotësimin e një numri të madh të akteve ligjore e nënligjore. Ndër ligjet e para që pësoi ndryshime, qe Ligji për emrin personal, i miratuar në vitin 1972. Këtë nismë e mori përsipër Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, i cili më 12 nëntor të vitit 1985, Kuvendit të RSM-ës i dorëzoi Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji. Rrjedhimisht, kryetari i Kuvendit të RSM-ës, Stanko Mlladenovski, me shkresën nr. 43-3166/1 të datës 16 dhjetor 1985, njoftoi kryetarin e Dhomës Shoqërore-Politike, për Propozim-Ligjin e dorëzuar nga ana e Këshillit Ekzekutiv, i cili duhej të miratohej nga dhoma përkatëse dhe Dhoma e Komunave. Në Propozim Ligjin që e ofronte Këshilli Ekzekutiv, parashikoheshin ndryshime dhe plotësime në gjithsej 4 nene të Ligjit ekzistues, përkatësisht në nenin 1, 3, 8 dhe 10. Kështu në nenin 1 pas paragrafit 1 ku thuhej “Emri personal është e drejtë personale e qytetarit”, t’i shtohej paragrafi i ri me përmbajtje si vijon: “Me emrin personal nuk lejohet të nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, apo fetare apo me të cilin ofendohet morali i opinionit publik”. Në neni 3 të Ligjit ekzistues, pas paragrafit 2 t’i shtohej paragrafi i ri me përmbajtje si vijon: “Në librin amzë të të lindurve nuk mund të regjistrohet emri personal me të cilin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose me të cilin ofendohet morali i opinionit publik”.
Në nenin 8, të Ligjit ekzistues, pas paragrafit 1 ku thuhej: “Nuk do t’i lejohet ndryshimi i emrit personal përkatësisht vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit të personit, kundër të cilit udhëhiqet procedurë penale për vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare ose personit që është gjykuar për vepër të tillë penale derisa nuk kryhet dënimi ose derisa vijojnë pasojat juridike të dënimit, sikurse as personit për të cilin do të verifikohet se kërkesën e ka dorëzuar për t’iu shmangur obligimeve të përcaktuara me ligj”, të vendoset paragrafi i ri me përmbajtje si vijon: “Ndryshimi i emrit personal, përkatësisht i emrit e mbiemrit nuk mund të miratohet në rast se me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare apo ofendohet morali i opinionit publik”. Së fundi, në nenin 10 të Ligjit ekzistues, numri “500” të zëvendësohej me numrin “30.000”, ndërsa numri “15” zëvendësohet me numrin “30”, me çka teksti i dispozitës së paragrafit 1 të këtij neni do të kishte këtë përmbajtje: “Me dënim në para deri më 30.000 dinarë apo me dënim me burg deri 30 ditë do të dënohet për kundërvajtje personi i cili do të përdorë emër të huaj personal përkatësisht vetëm emrin apo vetëm mbiemrin si të vetin”. Përveç kësaj, Këshilli Ekzekutiv propozonte që këtij neni (neni 10) t’i shtohej edhe një paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Me dënimin nga paragrafi 1 të këtij neni do të dënohet për kundërvajtje edhe personi i cili në mënyrë të paautorizuar kryen ndryshimin e emrit personal të qytetarit, përkatësisht vetëm të emrit ose vetëm të mbiemrit”.
Më pas Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, ndalet në “arsyeshmërinë” dhe “domosdoshmërinë” e miratimit të këtij ligji, të cilën në vazhdim po e shpalosim të plotë: “Sipas Kushtetutës së RSM-ës, çështjet që u përkasin emrave personal të qytetarëve, si çështje të interesit të përbashkët të njerëzve punëtorë dhe të qytetarëve përcaktohen me ligj. Ligji për emrin personal është sjellur në muajin shtator të vitit 1972 (‘Gazeta Zyrtare e RSM-ës’ nr. 30/72) dhe nga ajo kohë e deri më sot zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Emri personal, si e drejtë personale e qytetarëve, që fëmijëve ua përcaktojnë vetë prindërit, deri më tash nuk ka qenë i orientuar apo kufizuar me asnjë dispozitë të Ligjit. Prindërit, kanë mundur që sipas përzgjedhjes dhe gjykimit të tyre t’ua përcaktojnë emrat personal me të cilët në mjediset ku jetojnë ose më gjerë – mund të shkaktojnë revoltë dhe të nxisin urrejtje dhe jotolerancë fetare dhe nacionale. Sjellje të ngjashme vërehet edhe te një pjesë e qytetarëve të cilët kërkojnë ndryshimin e emrit personal. Në rastet e këtilla paraqiten edhe asi kërkesash për ndryshimin e emrit personal me të cilët ndizet urrejtja dhe jotoleranca nacionale e fetare ose me të cilin ofendohet morali i opinionit publik.
Ekziston edhe dukuria e ndryshimit vetëm të emrit ose vetëm të mbiemrit të fëmijëve, nxënësve dhe të rinjve të caktuar që e kryejnë persona të paautorizuar dhe jashtë procedurës së paraparë me Ligjin për emrin personal. Këto ndryshime kanë pasoja të gjera si ndaj personit poashtu edhe ndaj evidencës zyrtare që udhëhiqet në Republikën tonë, për arsye se me ndryshimet e kryera vështirësohet verifikimi i identitetit të vërtetë të personit dhe krijohen çrregullime në komunikimin juridik. Dënimet e përcaktuara për mosrespektimin e dispozitave nga Ligji ekzistues sanksionohen me një shumë simbolike dhe minimale në krahasim me dënimet që mund të përshkruhen për atë formë të kundërvajtjes sipas Ligjit për kundërvatje (‘Gazeta Zyrtare e RSM-ës’ numër 43/84) për çka shtrohet nevoja për rritjen e saj, përkatësisht përputhshmërinë me Ligjin e përmendur… Bazë kushtetuese për miratimin e ligjit të propozuar ekziston në nenin 301 paragrafi 1 pika 23 nga Kushtetuta e Republikës Socialiste të Maqedonisë, sipas së cilit Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë, për rregullimin e çështjeve të interesit të përbashkët për njerëzit punëtorë dhe qytetarëve, për organizatat e punës së bashkuar, organizatat dhe bashkësitë tjera vetëqeverisëse, miraton ligj që i përket emrit personal.
Në Republikën e Maqedonisë prindërit kanë liri të plotë në përcaktimin e emrit dhe mbiemrit të fëmijës. Nuk ekziston ndonjë rregullore e përcaktuar, nuk ekzistojnë lista për përzgjedhjen e emrave e as ndonjë orientim tjetër. Në Republikën tonë, sot ekziston një laramani e madhe të emrave dhe mbiemrave të ndryshëm. Mirëpo, ka një numër të caktuar të qytetarëve të cilët fëmijëve të tyre u japin emra që janë në kundërshtim me moralin publik, ndërsa disa nga ato emra nxisin urrejtje dhe jotelerancë nacionale dhe fetare. Ndërkohë, për ndryshimin e emrit personal paraqiten kryesisht si pasoj e mospërputhjes së evidencës tjetër publike me librin amzë të lindjes, si një evidencë bazë dhe zyrtare për personat e lindur në territorin e RS të Maqedonisë. Mirëpo, ka edhe asi kërkesash për ndryshimin e emrit personal me pranimin e të cilit krijohet mundësia që për qytetarin përkatës të humbin shenjat e prejardhjes dhe të kombësisë që i përket ose e fsheh identitetin e tij që jep mundësi për prezantim të rrejshëm në mjedisin ku jeton si dhe për keqpërdorime tjera. Me disa nga ato ndryshime ka mundësi të nxitet urrejtje dhe jotolerancë nacionale dhe fetare. Kjo dukuri nuk është e parëndësishme as për komunikimin juridik e as për sugurinë e vendit duke e pasur parasysh se emri personal, emri apo vetëm mbiemri e paraqet origjinën e personit, përkatësinë e tij në bashkësinë e caktuar etnike ose hedh dritë mbi prejardhjen e tij familjare. Me pranimin e kërkesave të tilla (pasi me Ligjin e tanishëm nuk ekziston asnjë bazë për refuzim) këta persona marrin emra personal të ri, shfaqen si subjekte juridike të reja, marrin letërnjoftime dhe pasaporta të reja etj., me çka e humbin tërësisht lidhjen me identitetin e tyre të mëhershëm. Në kohë të fundit është vërejtur edhe dukuria që nga ana e personit të paautorizuar të kryhet ndryshimi i emrit personal ose vetëm i emrit apo vetëm i mbiemrit të adoleshentëve (edukatorëve, arsimtarëve, profesorëve). Ky ndryshim ka ndikim edhe në komunikimin juridik për arsye se personi merr dëftesë për klasën e kryer, përkatësisht diplomë për shkallën e arritjes së aftësisë profesionale, ndërsa në atë mënyrë edhe të emrit personal të ndryshuar, përkatësisht vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit”.
Në pjesën e dytë të arsyetimit, Këshilli Ekzekutiv i RSM-ës nuk i fshehte dëshirat dhe qëllimet shoviniste, raciste e antishqiptare, të cilat do të arriheshin me miratimin e këtij ligji, përkatësisht Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e emrit personal.
“…Për shkak arsyeve të mësipërme, shprehej Këshilli Ekzekutiv, propozohet që të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për emrin personal me atë që organit të administratës kompetente për punë të brendshme do t’i mundësohet e drejta e refuzimit të kërkesës për përcaktimin apo ndryshimin e emrit personal pasi do ta verifikoj se nuk ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për atë, përkatësisht nëse me përcaktimin ose me ndryshimin e emrit personal nxitet urrejtje apo jotolerancë etnike dhe fetare apo ofendohet morali publik. Meqenëse emri personal është e drejtë e qytetarit që lidhet ngushtë me personalitetin i cili nuk mund të tjetërsohet e as që mund të privohet qytetari nga ajo e drejtë, për shkak rëndësisë së tij nuk duhet të lejohet të keqpërdoret i njëjti ose ta nxisë mjedisin ku jeton personi që është në kundërshtim me rregullimin publik dhe me interesat tjera më të gjëra të bashkësisë shoqërore. Propozohet të rritet shuma e dënimit në para të paraparë me Ligjin e deritanishëm për emrin personal nga ‘500’ në ‘30.000’ dinarë, ndërsa burgu nga 15 në 30 ditë për çfarëdolloj keqpërdorimi të emrit personal, veçanërisht për shkak asaj se dënimi i deritanishëm i përcaktuar në vitin 1972 nuk përshtatet me kushtet e tanishme. Gjithashtu propozohet plotësimi i Ligjit edhe me dënim të atyre personave të cilët në mënyrë arbitrare do të kryejnë ndryshimin e emrit personal, apo vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit në kundërshtim me procedurën e paraparë me Ligjin për emrin personal. Konsiderojmë se me këto do të arrihen qëllimet sa i përket dënimeve për kundërvajtje dhe do të kontribuohet në zhvillimin e ndjenjës tek qytetarët që ta respektojnë emrin personal të tyre, si dhe ta zhvillojnë kulturën, ndjenjën dhe dinjitetin e tyre, si gjatë përcaktimit po ashtu edhe gjatë përdorimit të përditshëm me emrin personal, përkatësisht do të pengohet keqpërdorimi i tij”.
Për sa më sipër shihet qartë se udhëheqja shoviniste maqedonase, me ndryshimin e këtij ligji, përveçse ndaj prindërve shqiptarë të cilët fëmijët e tyre do t’i emërtonin me emra shqip, si p.sh.: Flamur, Flamure, Alban, Albana, Shqiptar, Shqiptare, Kastriot, Kosovar, Berat, Shkodran, Shkodrane, Elbasan, Korab, Lume, Lumjan, Dibran, Dibrane, Dukagjin, Milot…, masa represive parashikonte të ndërmerrej edhe ndaj të gjithë atyre mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve shqiptarë, të cilët siç u theksua më lartë, kishin bërë korrigjimin e emrit apo të mbiemrit të nxënësve të tyre, si p.sh. Zendel në Zenel, Isen në Hysen, Isni në Hysni etj., apo Zendellovski apo Zenel në Zendeli, Isenovski apo Isen në Hyseni, Isniov apo Isni në Hysniu etj. Kjo përfshihet në paragrafin e parafundit të citatit të mësipërm ku thuhej: “…Gjithashtu propozohet plotësimi i Ligjit edhe me dënim të atyre personave të cilët në mënyrë arbitrare do të kryejnë ndryshimin e emrit personal, apo vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit në kundërshtim me procedurën e paraparë me Ligjin për emrin personal…”. Një dukuri e tillë, siç u theksua më lartë, bëhej me qëllim të caktuar nga ana e ofiqarëve, që përveç deformimit të emrit dhe mbiemrit, pati edhe qëllimin e asimilimit të popullsisë shqiptare në këto troje. (vijon nesër)