Qeveria duhet të punojë në drejtim të miratimit të një ligji ku i detyron restorantet apo hotele si dhe lokalet tjera që përgatisin gjella ushqimore apo prodhime të ushqimit, të mos i hedhin në kosha të bërllokut. Nëse vetëm gjysma e ushqimeve nga 10 tonë që hidhen në vit menaxhohen si duhet, atëherë mbi 50 mijë familje do të siguronin më së paku dy vakte ushqime në ditë
Zejnulla VESELI
Shkup, 1 prill – Anëtarët e komisionit të përhershëm anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve miratuan konkluzionet e mbledhjes s gjashtë të komisionit të mbajtur me 19 korrik 2018. Pothuajse të gjithë anëtarët dhe deputetë të partive në pozitë dhe opozitë mbështeten iniciativën e Komisionit anketues që së shpejti Qeveria do të miratojë ligj me të cilin ndalohet të hidhet çdo lloj ushqimi i tepër.
“Është më se evidente se janë me sasi alarmante ushqimet që teprojnë pas ngrënies nga ana e klientëve apo firmave të prodhimeve ushqimore që ju skadon afati, hidhen nga pronarët e restoranteve, hoteleve si dhe marketeve. Të dhënat zyrtare statistikore dhe organizatave jo qeveritare që merren me këto praktika, tregojnë se mbi 400 mijë qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë apo nuk janë në gjendje të hanë një porcion ushqim në ditë e le më te kenë 3 porcione ushqimi në ditë”, tha Fadil Zendeli kryetar i Komisionit të përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Pikërisht me miratimin e konkluzioneve të mbledhjes së gjashtë të këtij komisioni të mbajtur me 19 korrik 2019, thotë Zendeli, anëtarët e komisionit ngritën iniciativë për krijimin e grupit interparlamentar brenda këtij komisioni. Qeveria dhe institucionet tjera që merren me këtë fushë obligohen të krijojnë një infrastrukture që ushqimet e tepërta nga restorantet, hotelet apo super marketet të grumbullon në një qendër që do të formohet nga qeveria e cila do t’i plotësojë të gjitha kushtet teknike për ruajtjen e ushqimeve të tepërta dhe me hapjen e një lidhje telefonike falas ku pronarët do të kërkojnë në këtë qendër se kanë tepricë të ushqimeve. Ekipet duhet të shkojnë dhe ta marrin ushqimin dhe ta sjellin në qendër për grumbullimin e ushqimeve tepricë me të vetmin qëllim që ky ushqim mos të hidhet në kosh të bërllokut.
“Qeveria duhet të punojë në drejtim të miratimit të një ligji ku i detyron restorantet apo hotele si dhe lokalet tjera që përgatisin gjella ushqimore apo prodhime të ushqimit, të mos i hedhin në kosha të bërllokut. Nëse një ligj i këtillë do të miratohej nga Qeveria, do të ishte një e mirë e natyrshme që njeriun të mund të ushqehet me tre vakte në ditë me ushqimin që në të shumtën e rasteve është pothuajse pak ose aspak i prekur nga klienti, e jo të hidhet në bërllok. Mos të lejojmë në të ardhmen ata që e kanë të tepërt ushqimin që ta hedhin, dhe ky ushqim i tepër të ju jepet atyre që nuk e kanë”, tha Fadil Zendeli, kryetar i Komisionit anketues të përhershëm për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
NË VIT HIDHEN 10 TONË USHQIM
Miratimi i një ligji, sipas deputetes së BDI-së Mirsada Emini Hasani që është edhe anëtare e Komisionit anketues ka për qëllim të ndaloj restorantet, hotelet apo dyqanet tjera që brenda një viti të hedhin afro dhjetë tonë ushqim në deponitë me të cilin do t’iu mundësohej që së paku 13 mijë njerëzve të fitojnë tre shujta në ditë.
“Në favor të miratimit të një ligji të tillë flasin edhe faktet se në Maqedoninë e Veriut 445 mijë qytetarë nuk kanë mundësi të sigurojnë më shumë se një shujtë në ditë si rrjedhojë e varfërisë, e në anën tjetër shteti ka një dëm prej së paku dhjetë milion euro nga hedhja e ushqimit. Është për të ardhur keq sidomos në sezonin veror për çdo ditë ke nga një dasmë të organizuar. Paramendoni se sa ushqim i freskët i përgatitur gati pas përfundimit të dasmës hidhet në bërllok. Vetëm me ushqim që hidhet për këta katër muaj, me siguri se mbi 50 mijë familje do të siguronin ushqim të mjaftueshëm për tre vakte në ditë”, thotë deputetja Mirsada Emini Hasani.
EKIPE MOBILE PËR GRUMBULLIM TË USHQIMIT
Maja Moraçanin, anëtare e Komisionit, kërkon nga Qeveria jo vetëm më ligj të ndalohet të hidhet çdo lloj ushqimi i tepërt, por në anën tjetër të ju lehtëson restoranteve, hoteleve apo dyqaneve që shesin prodhime ushqimore duke dërguar ekipe mobile dhe t’i grumbullojnë këto ushqime .
“Nëse në të ardhmen shteti me të vërtetë angazhohet që ushqimet tepricë të mos hidhen në kosha të bërllokut por të njëjtat të përfundojnë në tryezën e familjeve të varfër, atëherë shumë njerëz të varfër do ti konsumonin këto ushqimet që janë shumë më të pastra dhe të sigurta se ushqimet që i mbledhin në koshin e plehrave e që në të shumtën rasteve janë me afat të skaduar. Nëse vetëm gjysma e ushqimeve nga 10 tonë që hidhen në vit menaxhohen si duhet, atëherë mbi 50 mijë familje do të siguronin më së paku dy vakte ushqime në ditë”, thotë deputetja Maja Moraçanin. (koha.mk)