Shkup, 22 janar – Kuvendi dje e miratoi Ligjin për shtesa rinore me procedurë të shkurtuar, i cili parasheh që deri moshën 23 vjeçare pas mbarimit të shkollimit të mesëm t’u ndahen nga 3.000 denarë për punë në fushën e prodhimtarisë.
Qëllimi është të stimulohet regjistrimi në shkollat e mesme profesionale dhe nxitja për punësim në prodhimtari apo mbështetje për të rinjtë që janë të punësuar në fushat e prodhimtarisë. Mjetet financiare për shtesat rinore do të sigurohen nga Agjencia për punësim, ndërsa në muaj për këtë masë janë parashikuar 13.200.000 denarë. Partia opozitare VMRO-DPMNE nuk votoi për këtë ligj.
Deputetët e vlerësuan si të pranueshëm Propozim-ligjin për efikasitet energjetik, i cili është në vijim, është në lexim të dytë. Ligji është me flamur evropian, pasi përcakton që vendi ynë do të jetë i detyruar të implementojë dy direktiva të BE-së – për efikasitetin e energjisë dhe karakteristikat e energjisë së ndërtesave.
Sipas gjendjes aktuale në legjislacion, ekziston pengesë për zbatimin e masave të efikasitetit të energjisë në shtet, pra në vitin 2014 u anulua detyrimi për lëshimin e certifikatave për efikasitet të energjisë në ndërtesat publike dhe lëshimin e certifikatave për efikasitet të energjisë gjatë blerjes ose dhënies me qira të ndërtesave ekzistuese të cilat përdoren në sektorin e banimit deri në datën e anëtarësimit në BE të Republikës së Maqedonisë të Veriut.
Kjo zgjidhje e pengoi tregun e shërbimeve energjetike, megjithëse afro 300 auditorë të energjisë morën pjesë në trajnime dhe kanë dhënë provime, pas çka ata morën autorizim për të kryer auditime energjetike dhe në përputhje me këtë, përafërsisht 80 kompani morën licencat e auditimit të energjisë. Me ligjin e ri për efikasitet të energjisë, ndër të tjera, duhet të tejkalohet kjo pengesë.(koha.mk)