Shkup, 28 janar – Parlamenti pasditen e së hënës, në kuadër të seancës së 81-të, vlerësoi se Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për rezerva të obligueshme të naftës dhe derivateve të naftës është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm, informon Koha.
Ministri i Financave Dragan Tevdovski sqaroi se me ndryshimet do të rregullohet mënyra e shitjes së rezervave të obligueshme të naftës në rast se ka krizë të naftës, si dhe në situata kur paraqitet nevoja që të realizohet ripërtëritje e derivateve.
Me ndryshimet, tha, bëhet edhe harmonizim me dispozitat e ligjit të ri për energjetikë dhe mundësohet që Drejtoria për rezerva të obligueshme të realizojë rinovim të derivateve të naftës në procedurë e cila do t’i minimizojë humbjet e shkaktuara.
“Në Ligjin ekzistues për rezerva të obligueshme të naftës dhe derivateve aspak nuk është rregulluar shitja për ripërtëritje të derivateve të naftës, gjegjësisht është rregulluar vetëm shitja e derivateve në rezervat e obligueshme në rast të dëmtimit të efikasitetit energjetik edhe atë përmes dhënies publike sipas rregullave”, tha Tevdovski.
VMRO-DPMNE-ja bëri thirrje që Qeveria ta heq këtë zgjidhje ligjore sepse me të, siç theksoi deputeti Dragan Cuklev, në tregun e Maqedonisë do të mundësohet hyrje e karburanteve jocilësore.
Deputetët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së paraprakisht i kundërshtuan qëndrimet edhe rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për mbrojtje shëndetësore i cili megjithatë e kaloi filtrin parlamentar.
Debati ende vazhdon, ndërsa do të përfundoj, siç paralajmëroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, kur do të shqyrtohen pikat e tjera të rendit të ditës. Për nesër mbetet interpelanca e punës së ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov të cilën e ngritën deputetët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa ishte anuluar për shkak të mungesës së tij në seancë. (koha.mk)